Një incident mes një polici civil dhe një qytetari ka ndodhur më 3 gusht në një lokal në Ferizaj. Lidhur me rastin Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, ka pranuar informacione nga qytetari i cili pretendonte për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtari policor.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorin kompetent hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast kanë arrestuar zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Ferizaj) që ishte i përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Pamje nga ky incident ka dërguar një lexues i Gazetës Express, sipas tij zyrtari policor është ulur në karrige duke ngrënë, ndërsa qytetari hyn në lokal dhe më pas afrohet te polici.
Nuk dihen shkaqet që çuan deri të ky incident e as kush e nisi zënkën.