Yllka Metaj-Shaqiri nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka thënë se nuk janë kushtet e duhura që liberalizimi i tregut të energjisë elektrike – që pritet të ndodhë më 1 prill – të fillojë tani për shkak se do të ndikojë në rritje të faturës së energjisë elektrike për bizneset e kyçura në rrjetin e tensionit të mesëm.
“Tregtia me pakicë në parim do të duhej të ishte pro liberalizimit dhe tregut të lirë, por te kjo temë dhe situata aktuale është i pamundur liberalizimi i tregut të energjisë elektrike për arsye që nuk është ende furnizimi i rregulluar dhe kjo nuk na lejon që të kemi një konkurrencë në çmim”.
“Me atë që po parashihet, bizneset të cilat janë të lidhura në rrjetin e tensionit të mesëm – 10 dhe 35 kilovolt – do të kenë një ngritje të çmimit. Kompanitë dhe tregtarët e shitjes me pakicë të cilët unë i përfaqësoj janë të qëndrimit që duhet të shtyhet ky vendim edhe për një kohë, derisa të bëhet një strukturë e mirëfilltë dhe kompanitë të cilat janë të licensuara t’i kenë kapacitetet dhe të mund të ofrojnë një çmim të volitshëm për bizneset”.
“Përveç që jemi takuar me Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRE), disa prej anëtarëve janë takuar edhe me disa kompani që i plotësojnë kushtet e furnizimit, por që çmimi – nëse krahasohet me çmimin aktual të cilin e ofron KESCO – ka dalë për 30 % më i lartë”.
Kanë mbetur edhe pak ditë, deri në datën 1 prill, prej kur do të nisë së aplikuari Rregullorja e ZRE-së që në mënyrë automatike kërkon kalimin në liberalizim të tregut të energjisë elektrike.
Metaj-Shaqiri, në emisionin “7 Ditë me Panxhën” që transmetohet në Klan Kosova, ka thënë se po presin që të konstituohet Kuvendi që më pas t’i drejtohen me një shkresë lidhur me këtë çështje.