Në fillim të qershorit të këtij viti Qeveria e Kosovës kishte miratuar projektligjin për Fondin Sovran.
E vetëm disa ditë më vonë më saktësisht më 13 qershor i njëjti u votua edhe në Kuvend në lexim të parë.
I njëjti pritet që të hidhet në votim në seancën e së enjtes për lexim të dytë.
Për Fondin Sovran, vendimin e Kushtetueses për faljen e tatimit në pronë, shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e çështje të tjera ka folur në një intervistë për Front Online, deputeti i PDK-së, njëherit kryetar i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.
Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do të votojë kundër projektligjit për Fondin Sovran.
Sipas tij, ligjet që kanë ndikim të rëndë ose substancial në ekonomi po punohen shpejtë dhe se ligje të tilla po bëhen me ide të caktuara që janë krejtësisht jo kushtetuese.
Shala, ka treguar se me çka bie ndesh ky projektligj.
“Fondi Sovran tashmë draft-ligj bie ndesh me shumë parime të ekonomisë së tregut të lirë, bie ndesh me parimin e konkurrencës, bie ndesh me parimin e legjislacionit aktual në fuqi, bie ndesh me parimin e menaxhimit të resurseve nacionale siç janë resurset minerare, por bie ndesh edhe me parimin e transformimit të pronës shoqërore sepse në kuadër të Fondit Sovran inkorporohen edhe asetet e AKP-së, të ndërmarrjeve publike dhe shumë asete të tjera të cilat do të mund të ishin katalizator i zhvillimit ekonomik. E, kështu siç po pretendohet do të jenë brenda një kornize të menaxhuar politikisht të centralizuar, pra ekonomi e centralizuar e cila tashmë është treguar në gjithë globin si ekonomi e dështuar”, ka deklaruar ai
Deputeti Shala, ka treguar se PDK nuk e voton këtë projektligj dhe se janë duke e shqyrtuar që ta dërgojnë në Kushtetuese.
“Jo, ne nuk mund ta votojmë këtë. Bile, mund të them me përgjegjësi të plotë që grupet e ekspertëve janë duke e analizuar në hollësi dhe mund të përfundojë në Kushtetuese. Megjithatë, ne kemi shprehur qëndrimet tona publike dhe jemi kundër miratimit të këtij ligji sepse e thash nuk është ligj zhvillimor, është ligj i cili do të sjellë më shumë pasoja për ekonominë e vendit”, ka thënë Shala.
Një javë më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Qeverisë sa i përket faljes së tatimit në pronë.
Sipas këtij vendimi, komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Ndërsa, Qeveria u ka dhënë afat komunave që të vendosin deri më 8 dhjetor të këtij viti për faljen e tatimit në pronë.
Por, kryetarët e komunave janë ankuar pasi që sipas tyre nëse Qeveria nuk i rimburson për faljen e 100 eurove ato do të dëmtohen.
Lidhur me këtë deputeti i PDK-së, Ferat Shala në një intervistë për Front Online ka thënë se Qeveria po tregohet selektive mbi pushtetet lokale ku udhëheqin partitë opozitare.
“Qeveria ka pasur dhe ka mjete financiare, ka pasur dhe ka rrugë alternative ligjore nëse ka për qëllim të subvencionojë pushtetet lokale apo edhe qytetarët, ata që janë taksapagues të tatimit në pronë, por jo të ndëshkojë direkt buxhetin vetanak të pushteteve lokale ku do të kenë problem të madh sa i përket realizimit të projekteve të planifikuara afat-shkurtra pse jo edhe afat-gjata dhe në këtë relacion është e pakuptueshme se si Ministria e Financave duke pas mjete të mjaftueshme në portfolien e saj tashmë po bën lojëra të tilla, makinacione të tilla që në esencë e ka komplikuar shumë situatën e buxhetit lokal”, ka deklaruar deputeti Shala për Front Online.
Ai thotë se Qeveria duhet t’i rimbursojë komunat.
“Nuk ka logjikë as ekonomike e as juridike të falësh pjesë të mjeteve financiare të cilat janë direkt pjesë e buxhetit komunal. Pra, Qeveria do të duhej nëse e ka atë ide të shëndosh të i rimbursoj sepse ato mjete janë të destinuara për pushtetin lokal”, ka shtuar ai.
Më 22 nëntor Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë regjistrimin e popullsisë deri në prill të vitit të ardhshëm.
Ani, pse i njëjti ishte paraparë që të fillojë më 1 nëntor të këtij viti.
Për deputetin e PDK-së, Ferat Shala shtyrja e këtij procesi përveç që është lajm i keq, ndikon edhe në çështjen e planifikimit dhe operimit ekonomik, social dhe njerëzor.
Sipas tij kryeministri Albin Kurti këtë po e bën për interesa politike.
“Në këtë relacion ikja e regjistrimit të popullatës ka konotacion edhe ekonomik edhe social, por edhe politik. E, këtë të fundit kryeministri po mundohet ta përdor dhe ta shtyjë aq më shumë për interesa të ngushta politike të vendit”, është shprehur ai.
Por, thotë se shifrat që do të dalin nga regjistrimi i popullsisë do të mbulohen nga Qeveria me liberalizim të vizave.
“Definitivisht shifrat e largimit të rinjve janë alarmante dhe viti i ardhshëm do të jetë vit i liberalizimit dhe këtu pastaj Qeveria do të orvatet që shifrat e dështuara t’i operacionalizojë apo t’i mbulojë me çështjen e liberalizimit apo të lëvizjes së lirë dhe duke e minimizuar ikjen e madhe që ka ndodhë në tri vitet e fundit që statistikat gjermane thonë se vetëm në tri vitet e fundit vetëm në Gjermani kanë hyrë rreth 95 mijë shtetas nga Republika e Kosovës, pra këto shifra do të mund të mbuloheshin pas fillimit të liberalizimit dhe në këtë relacion Qeveria po orvatet që këtë afat të regjistrimit të popullatës ta bartë vitin e ardhshëm”, ka shtuar Shala.
Ai ka thënë se është skeptik që në vitin e ardhshëm do të ketë rritje ekonomike.
Dhe këtë e thotë për shkak se këtë vit ka pasur shkallë të ulët në investime kapitale.
Ani pse deklaron se mjete ka mjaftë por se po shkojnë në kategori sociale me anë të ndihmave.
“Mjete ka mjaftë por krejt shkojnë në kategori sociale me anë të ndihmave. Do të thotë ne jemi relativisht skeptik sa i përket trendit të rritjes ekonomike sepse nuk po shohim seriozitet në planifikim, në shpërndarje të mjeteve, në investime kapitale, në thithjen e investitorëve strategjikë, nuk po shohim seriozitet në heqjen e sanksioneve që faktikisht mekanizmat ndërkombëtarë na i kanë vendosur”, ka shtuar ai.
Deputeti Shala, thotë se pret që kjo Qeveri të ndryshojë në mënyrë që të hiqen edhe sanksionet nga Bashkimi Evropian, në të kundërtën vitin e ardhshëm do të ketë regres.
“Kur Bashkimi Evropian dhe shtetet më të mëdha ekonomike, fuqia ekonomike të vë sanksione zhvillimore ekonomike në fonde ne definitivisht është si me thënë anomali e madhe logjike të mendosh se do të kemi një zhvillim ekonomik. Presim, që të ndryshojë kjo Qeveri, presim që të lobojë më shumë dhe të jetë e disiplinuar në bashkëpunim ndërkombëtar, presim që të zbuten sanksionet e Bashkimit Evropian dhe dikund rreth 300 milionë euro të zhbllokohen të cilat janë fonde të bllokuara, presim që të ndërroj qasja me investitorët e jashtëm. Në të kundërtën ne do të kemi regres”, ka thënë ndër të tjera Shala.