I lidhur e i zhveshur u gjet të dielën pasdite Jetmir Rudi nga Malisheva pasi ishte lajmëruar nga familja e tij si i zhdukur. Pas 25 orëve, Rudi u gjet i gjallë nga familjarët e tij, të cilët e kishin lajmuar rastin në polici dhe kishin filluar ta kërkonin në zonat rreth fshatit Rud të Malishevës.
28 vjeçari u gjet në gjendje të mirë shëndetësore derisa familja e tij dyshonte se atë dikush e ka rrëmbyer.
Por krejt kjo po del të jetë e menduar nga vetë Rudi. Ai dyshohet ta ketë inskenuar vetë rrëmbimin e tij pasi ka probleme psikike.
Kështu kanë thënë për gazetën Objektiv, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Gjakovës, Ali Uka tha se pas ngjarjes, Rudi është dërguar në Qendrën Klinike Universitare, ku mjekët kanë konstatuar se ai ka probleme të shëndetit mendor.
“Ai e ka inskenuar këtë ngjarje. Ai psiqikisht nuk ka qenë në rregull. E kanë dërguar në Spitalin e Gjakovës ja kanë kryer ekzaminimin, pastaj në Prishtinë, e kanë shikuar se si është në aspektin psikologjik. Është konstatuar se ky edhe më përpara ka qenë i shtruar për çështje psikike. Nuk kanë konstatuar as lëndime as asgjë. Ia kanë gjetur një mbështjellës (izolir) ndër krahë. Fotografinë që e ka postuar në rrjetet sociale e ka inskenuar dhe e ka postuar”, tha Uka.
Megjithatë Uka tha se po i vazhdojnë hetimet ani se në trupin e 28 vjeçarit nuk janë gjetur shenja dhune dhe nuk ka elemente të dyshimit.
“Asgjë s’ka të vërtetë. Ai tani është në shtëpi. Policia është ende duke kryer hetime. Nuk kanë gjetur shenja dhune. Për çfarë qëllime i ka bërë këto, ai e dinë vetë. Ka dëshmitarë që po thonë që ky vetë e ka inskenuar rastin. Para dy vjetëve një hetues policor ka thënë që e ka pasur si rast këtë djalin dhe e kanë dërguar për trajtim te neuropsikiatri. Nuk ka lëndime. Nuk ka elemente të dyshimit. Familja kanë thënë nuk ka pasur kurrë problem asnjëherë këto ditë me askënd. Ata vetëm kanë treguar që ka probleme mendore”, potencoi Uka.