Prokuroria Themelore e Gjilanit nuk ka dyshime se në tragjedinë e familjes Zuka nga Pozherani i Vitisë janë implikuar edhe persona të tjerë. Kryeprokurori Arben Kadriu, në një prononcim thekson se çifti dyshohet se kishin nisur procedurat për shkurorëzim, teksa thekson se familja e gjerë nuk ishin në dijeni se ata kishin probleme mes vete
Një natë para Vitit të Ri 2021, kryefamiljari, Fetah Zuka, 45 vjeç, i privoi nga jeta gruan Makifiren dhe dy djemtë e tyre, 23 e 18 vjeç, Hamdiun e Arbërin. Familja kishte nënshtetësi zvicërane, ndërsa në Kosovë kishin ardhur pak ditë para se të ndodhte krimi.
Lidhur me këtë ngjarje ka folur për Express, Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, Arben Kadriu, i cili tha se atë natë shtëpia brenda është gjetur me gjak si pasojë e vrasjes së tre personave, ndërsa akti i vetëvrasjes është filmuar nga kamerat e sigurisë së shtëpisë.
“Janë kamerat e sigurisë, e kanë kap imazhin e hyrjes në shtëpi dhe daljes. Nuk ka dyshime se janë të involvuar persona të tjerë në ngjarje. I zoti i shtëpisë dyshohet se i ka kryer vrasjet dhe aktin e vetëvrasjes. Akti i vetevrasjes është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Shtëpia nga brenda ka qenë krejt gjak”, tha Kadriu të dielen.
Tutje, kryeprokurori tha se çifti dyshohet se ishte në procedura të shkurorëzimit, ndërsa pak ditë para ngjarjes kishin ardhë në Kosovë. Ndërsa, për raportet e tyre bashkëshortore janë intervistuar familjarët e çiftit në Kosovë.
“Kanë udhëtu nga Zvicra në Kosovë, dyshohet se çifti ka qenë në procedura të shkurorëzimit.Prindi dyshohet se ka vra bashkëshorten, dy djemtë, pastaj vetën. Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion…Familjarët e tjerë nuk kanë pas njohuri që ata kanë pas probleme. Janë intervistuar familjarët, për njohuri rreth raporteve të tyre”, përfundoi ai.
Një ditë pas tragjedisë, vëllai i Fetahut, kishte deklaruar se me vëllanë kanë kaluar shumë mirë dhe çdo natë kanë ngrënë darkën bashkë.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë dhe vetëvrasje”, ndërsa Komuna e Vitisë e kishte shpallur një ditë zie për shkak të ngjarjes që tronditi vendin.