Jehona Oruqi, drejtoresh në “Faik Konica”, tha se në këtë shkollë ekziston një trekëndësh funksional e konstruktiv në mes mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve.Tutje, Oruqi tha se Këshilli Drejtues me përfaqësuesit e prindërve kanë kontribuar në përgatitjen ë gjitha proceseve për të filluar mësimin me prezencë fizike në shkollë.
“Bashkëpunimi me prindërit në shkollën tonë është i nivelit shumë të lartë që do të thotë se punon, funksionon trekëndëshi mësimdhënës-prindër-nxënës. Gjatë periudhës së parapërgatitjeve për fillimin e mësimit në shtator, Këshilli Drejtues me përfaqësuesit e prindërve dhe po ashtu të mësimdhënësve, kanë kontribuar në përgatitjen e gjitha proceseve për të filluar mësimin me prezencë fizike në shkollë. Është bërë fillimisht intervenimi në tualete të shkollës, të cilat janë rinovuar në tërësi, gjithashtu janë pajisur klasat me internet, po ashtu me laptopë që mundëson mësimin sipas skenarit B në shkollën tonë.Është intervenuar edhe në sistemin e kamerave që do të thotë janë furnizuar, janë punuar këndet e ndryshme brenda shkollës që kanë për qëllim relaksimin e nxënësve e shumë gjërat e tjera që kanë ndihmuar procesin që shkolla të jetë një rikthim sa më i sigurt për nxënësit, po ashtu edhe atraktiv. Unë jam shumë falënderuese për këta akterë që bashkëpunimin në çdo moment kur ne kemi kërkuar kanë qenë të gatshëm dhe ende vazhdojnë të jenë të gatshëm të ndihmojnë në proceset e shkollës”, tha ajo.Përderisa sipas rregullores arsimore mbledhjet me prindërit janë obligative që të mbahen dy herë në vit, në shkollën “Faik Konica” ato mbahen më shpesh.
“Por ne kemi Këshilli drejtues që janë përfaqësuesit e prindërve në këtë këshillë është nga radhët kemi edhe Këshillin e prindërve, mbledhjet janë obligative dy herë ne vit, por ne si shkollë ndonjëherë edhe më shpesh realizojmë mbledhje me prindërit. Sa herë që është nevojshme bashkëpunimi në vazhdimësi gjatë tërë kohës së pandemisë ka qenë prezent për gjë të cilën jam shumë falënderuese”, tha Oruqi për Ekonomia Online.
Tutje, ajo thotë se Komuna e Prishtinës e vlerëson bashkëpunimin që kanë stafi i shkollës me prindërit.“Shkolla jonë realizon mësimin sipas dy skenarëve, për ciklin e ulët është skenari A, ndërsa për ciklin e lartë është skenari B. Vështirësi nuk është që kemi hasur shumë, pasi që shkolla jonë, falë bashkëpunimit me prindër, gjithsesi që kemi pasë bashkëpunim edhe me komunën edhe janë mjaftë mirë të informuar që në të njëjtën kohë edhe ata janë falënderues për bashkëpunimin që ka shkolla “Faik Konica” me prindër, mund të themi se shquhemi si shkollë për mobilizim te gjithë akterëve në mënyrë që të realizojmë procesin mësimor sa ma mirë që është e mundur. Gjatë periudhës së verës në vazhdimësi Këshilli Drejtues i shkollës edhe mësimdhënësit kanë punuar dhe kanë planifikuar sesi të fillojë procesi mësimor në shtator në formë fizike në shkollë. Gjithashtu edhe komuna e Prishtinës ka ndihmuar dhe lehtësuar procesin duke na furnizuar me të gjitha pajisjet për dezinfektim, për mbajtje të distancës e gjërat të tjera që e kanë ndihmuar procesin”,Kur Kushtrim Demiri është kthyer pas 20 vjetëve për ta regjistruar për herë të parë fëmijën e tij në shkollën “Faik Konica”, është ballafaquar me të njëjtën gjendje që ka qenë kur ai ishte duke përfunduar arsimimin e ultë.Demiri nuk është pajtuar me gjendjen që e ka gjetur shkollën.Tani kryetar i Këshillit Drejtues i shkollës, thotë se në bashkëpunim me prindërit dhe donatorët kanë realizuar afër 50 projekte në rregullimin e kushteve të shkollës.“Së pari kur kemi ardh këtu në shkollë, kur e kam regjistrua për herë të parë fëmijën, nuk jam pajtua me gjendjen që e kam gjet shkollën. Mas 20 vjetëve kam menduar se kanë ecë gjërat përpara edhe sidomos te pasë parasysh që sot arsimimi është kryesorja në jetën e fëmijëve tanë. Atëherë nuk jam pajtua me atë gjendje dhe nuk kam dashtë me heshtë, as nuk jam pajtua me atë gjendje. Kështu që i kam marr hapat e parë se çka mundem i ndihmua shkollës”.
“Dy vitet e para kam ndihmua me tri projektet të veçanta, ku perdet e shkollës janë vendosë në krejt klasat, kamerat dhe sistemi i kamerave në të gjithë shkollën, jam mundu me mbulua pikat e dobëta të shkollës, ndërsa prej 15 tetorit 2019 kam marr rolin si Kryetar i Këshillit Drejtues të shkollës dhe prej asaj dite kemi bërë një plan të detalizuar së bashku me anëtarët e KDSh-së, ku janë katër nga mësimdhënësit, katër nga prindërit që jemi aty, dhe po ashtu nga Këshilli i Nxënësve”, u shpreh ai.
“Pas prezantimit të planit të KDSh-së edhe pse nuk e kemi ditë që po ballafaqohemi me një vit shumë të vështirë të pandemisë, përkundër krejt asaj, por ka qenë një vullnet shumë i madh, gjë që edhe sot ndihem krenar edhe si kryetar i Këshillit Drejtues edhe si pjesë e kësaj shkolle që sot ndryshimi preket në shkollën “Faik Konica”. Janë realizua afërsisht 40-50 projekte. Prej krejt këtyre katër janë në proces për këtë vit që për shkak të pandemisë janë shty konfirmimet dhe kanë mbet si proces jo që nuk do të bëhen, por vetëm si proces deri në fund të këtij viti. Por ajo që është më e rëndësishme që kemi prek në çdo sferë të shkollës”, tha tutje kryetari i Këshillit Drejtues.
Tutje, Demiri tregon se projektet janë realizuar me ndihmë nga donatorët që i kanë siguruar prindërit.“Krejt ky angazhim nuk është bërë financiarisht prej prindërve, nuk kanë ndihmua prindërit financiarisht me i realizua këto donacione, se nuk iu kemi kërkuar asnjë herë para, janë bërë me vullnet të donatorëve të ndryshëm që janë jashtë shkollës, bizneset apo kompanitë” , u shpreh ai.Mes tjerash, ai tregon se gjatë kohës së pandemisë janë frikësuar se nuk do të munden t’i realizojnë projektet e parapara.
“Ka qenë shumë vështirë me i bind, pasi me 12 mars ne vetëm u ballafaquam me pandeminë edhe ka qenë pas 5 muajve pasi e kam marr mandatin si kryetar dhe unë jam frikësua, jo në atë kuptimin se projektet nuk kanë me ndodhë por jam frikësuar se do të shtyhen për këtë vit. Prapë po them një vullnet i jashtëzakonshëm një punë e jashtë zakonshme është bërë në interes të gjithë fëmijëve edhe janë realizua 45 projekte”, tha ai.“Projektet që i kisha veçua në kuadër të shkollës janë tualetet, katër tualete janë bërë komplet të reja. Janë dy këndet e leximit, është hyrja e shkollës, është reklama e shkollës, është logoja e re e shkollës, është brendi, është çdo klasë e dekoruar, janë laptopët, që ndoshta jemi të vetmit në Kosovë që me 1 shtator, kemi qenë edhe për planin A, B,C, kur ne si shkollë i kemi plotësua kushtet edhe të internetit edhe te laptopve, po ashtu sigurimi është njëra prej gjërave kryesore, pjesa e kamerave, e kemi radion e shkollës aktive, do të thotë të gjitha këto aktivitete që janë bërë brenda këtij viti. Këtë vit ka mbetur uniforma, edhe pse është dizajnuar, por për shkak të pandemisë e kemi shtyrë”, u shpreh mes tjerash Demiri.Në anën tjetër, mësimdhënësja e matematikës, Vjollca Zogaj, tregoi se sa ua ka lehtësuar punën ndihma e siguruar nga prindërit.Ajo thotë se sigurimi i laptopëve për të realizuar mësimin online ka qenë esenciale për të.“Ndihmën të cilët na kanë dhënë prindërit sidomos në shkollën tonë, jemi jashtëzakonisht të kënaqur dhe me të vërtet është për t’u falënderuar një ndihmë, e jashtëzakonshme që u ka hyrë në përdorim sidomos arsimtarëve, prindërve, fëmijëve dhe besoj që duhet të vazhdojë”, tha Zogaj.
“Për mësimin online kisha thënë që duhet falënderuar posaçërisht kryetarin e Këshillit të Prindërve që ka siguruar laptopë dhe neve na ka ndihmuar punë shumë dhe jemi duke mbajtur mësim me gjysmën e klasës pasi që e kemi gjysmë klasë në shkollë dhe gjysmë në shtëpi ajo na ka ndihmua jashtëzakonisht”, u shpreh ajo.