Serbia sot mbajti zgjedhjet e përgjithshme, për të cilat u votua edhe në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Rezultatet preliminare e nxjerrin bindshëm fituese partinë e Aleksandar Vuçiqit me 62,7 përqind, transmeton Reporteri.
Duke lënë anash rezultatin e Vuçiqit, këto zgjedhje mund të cilësohen historike për partitë shqiptare që kanë marrë pjesë në zgjedhjet në Serbi.
Shqiptarët e bashkuar si kurrë më parë sipas sondazhe preleminare kanë arritur të marrin 4 deputetë në Serbi.
Nëse konfirmohet se shqiptarët e Luginës do të përfaqësohen me 4 deputetë, padyshim se një prej personave më meritorë është ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj.
Me 16 janar të këtij viti, Cakaj kishte treguar se shqiptarët në Luginë të Preshevës do të garojnë të bashkuar në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe kishte deklaruar se ky bashkim do t’i shërbejë jo vetëm fuqizimit të Luginës së Preshevës, por edhe rritjes së frymëzimit kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi.
“Një super lajm për shqiptarët kudo që ndodhen ????????????… Krerët e partive politike të Luginës së Preshevës kanë vendosur të bashkohen në një listë të vetme në zgjedhjet parlamentare. Ky bashkim do t’i shërbejë jo vetëm fuqizimit të Luginës së Preshevës, por edhe rritjes së frymëzimit kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi. Partitë nënshkruese të kesaj marrëveshje sot kanë dhënë shembullin më të vyer të tejkalimit të dallimeve të brendshme në funksion të Luginës së Preshevës dhe interesave kombëtare. Urime të gjithëve, përqafime Luginës së Preshevës dhe shihemi së shpejti”, kishte shkruar Cakaj në Facebook.
Ministri Cakaj ka reaguar pas konfirmimit se shqiptarët do të përfaqësohen me 4 deputetë, ku shkurt ka shkruar në Facebook “Të Dua Luginë”.
Kujtojmë se Cakaj i cili arriti t’i bëjë bashkë politikanët shqiptarë në Luginë, para kësaj ishte kritikuar jashtëzakonisht shumë nga presidenti shqiptar Ilir Meta si dhe nga Lëvizja Vetëvendosje se po punonte për shkëmbim të territoreve, çka Cakaj e kishte mohuar kategorikisht në çdo paraqitje të tij.