Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se ka arrestuar dy grupe të të dyshuarve për vjedhje në fshatin Lubizhdë dhe Skorobisht të Prizrenit,
Përmes një komunikate për media, kjo drejtori policore njofton se këto vjedhje dyshohet se janë kryer nëpër shtëpitë e banorëve të kësaj zone gjatë vitit 2018, 2019 dhe vitit 2020.
Në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe përdorim të masave të fshehta teknike të hetimit e vëzhgimit, policia arrestoi tre të dyshuar me iniciale B.S., A.A. dhe H.B., të cilët tani gjenden në burg dhe janë në pritje të gjykimit.
Gjatë këtyre hetimeve, policia arriti të identifikojë dhe grupin e dytë të tre të dyshuarve të tjerë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar për vjedhje.
Policia njofton se janë zbuluar shtatë raste të vjedhjes.
“Në përgjithësi u zbuluan 7 raste të vjedhjeve në Lubizhdë dhe Skorobisht. Dëmet nga këto raste e kalojnë vlerën materiale mbi 22.000 (mijë euro) euro”, thuhet ndër të tjera në kumtesën e policisë.