Përkundër thirrjeve të vazhdueshme, në Kosovë vazhdon të ketë grumbullime të njerëzve e madje edhe organizime dasmash.
Një e tillë është mbajtur dje në Gllogoc, ku madje janë shkrepur edhe plumba.
Policia njofton se në një kolonë të dasmës nga një veturë ishte gjuajtur me armë zjarri.
Vetura nga e cila u gjuajt me armë u ndalua dhe në të u gjet pistoleta me pesë fishekë.
“Gllogoc 25.06.2020-16:20. Në një kolonë të dasmës nga një veturë ishte gjuajtur me armë zjarri. Njësitë policore në teren kanë arritur ta ndalojnë veturën me targa vendore të cilën kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me pesë fishek”, njofton Policia në raportin 24 orësh.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.