Policia e Kosovës në Gjakovë në kuadër të planit operativ për ”Gatishmëri dhe reagim ndaj COVID-19, për dy orë janë mbyllur 15 lokale në qytetin e Gjakovës.
Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta, i cili shtoi se lokalet e mbyllura janë monitoruar në vazhdimësi dhe për shkak të shkeljeve të përsëritura të masave kundër COVID-19 është marrë vendim për mbylljen e tyre.
“Njësitet policore në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, gjatë intervalit kohor 19:00-22:30 kanë monitoruar respektimin e masave dhe kufizimeve në të gjitha sheshet, udhëkryqet dhe vendet tjera publike me frekuentim më të madh të qytetarëve, mbështetur në vendimet e Qeverisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Gjatë kësaj kohe janë mbyllur 15 lokale, janë shqiptuar 65 fletëparaqitje dhe janë përpiluar 37 procesverbale për inicim të procedurës kundërvajtëse”, ka deklaruar Graishta.
Ndërkaq nga mëngjesi e deri më tani janë shqiptuar 162 fletëparaqitje në rajonin e Gjakovës.