Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative bazuar në të cilat dyshohej se një zyrtar policor i Stacionit Policor të Suharekës drejton veturën e tij private pa regjistrim.
Pas pranimit të informacionit është verifikuar informacioni dhe zyrtari në fjalë është ndaluar sot në rrugë nga hetuesit e IPK-së ku pas kontrollit të dokumentacionit të veturës së tij ka rezultuar se ky automjet nuk është regjistruar që nga viti 2019, njofton IPK.
Lidhur me rastin janë njoftuar Njësia e Trafikut Rajonal të Prizrenit të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore kurse IPK ka rekomanduar suspendimin për zyrtarin policor.
“IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim duke mbetur e përkushtuar drejt ndërmarrjes së veprimeve që synojnë fuqizimin e integritetit policor”, thuhet në njoftim.