Insajderi, ka zbuluar se hetuesit e arrestuar të mërkurën në mbrëmje, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, kanë kërkuar dhe marrë para në mënyrë të rregullt nga biznesmenët. Ata, që disa muaj rregullisht i kanë marrë para biznesmenit, Mentor Maqani, i cili prej shumë kohësh ka qenë duke bashkëpunuar me Inspektoratin Policor të Kosovës. Dëshmitë për këtë janë siguruar me incizime dhe me numra serik të parave.
Dy ditë para se të arrestohej Ismet Osmani, i njohur si “Curri”, hetuesi i krimeve ekonomike, Lutfi Menxhiqi, ka kërkuar dhe realizuar një takim me të.
Menxhiqi, dyshohet se në këtë takim i ka kërkuar “Currit”, 100 mijë euro në emër të Faton Zabërxhës dhe Lavdim Osmanin. Nëse nuk do t’ia jepte ato, Curri do të arrestohej.
Kështu edhe ka ndodhur. Pas refuzimit të Currit për t’i dhënë paratë, ai është arrestuar me urdhër të prokurorit, Armend Hamiti.
Curri, dhe disa të tjerë janë arrestuar pas denoncimit të Faton Dalladakut, një biznesmen i zhytur në borxhe dhe fajde, i cili vite më parë ka shitur qindra hektarë tokë të marra me qira nga Komuna e Lipjanit. Këtë tokë, që komuna ia kishte dhënë për të bërë biznes, Dalladaku e ka shitur në mënyrë të paligjshme.
Gazeta Insajderi, ka zbuluar se hetuesit kanë kërkuar dhe marrë para në mënyrë të rregullt nga biznesmenë, përfshirë biznesmenët e dyshuar në këtë rast.
Ata, që disa muaj rregullisht i kanë marrë para biznesmenit, Mentor Maqani, i cili prej shumë kohësh ka qenë duke bashkëpunuar me Inspektoratin Policor të Kosovës. Dëshmitë për këtë janë siguruar me incizime dhe me numra serik të parave.
Insajderi, ka siguruar kartëmonedhat e fotografuara të cilat, Maqani u ka dhënë policëve sipas udhëzimeve që kishte marrë nga IPK. Këto, para i janë zënë në flagrancë, Lavdim Osmanit, i cili është familjar i shefit të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu.
Dy prej hetuesve të arrestuar së bashku me Inspektorin e përgjithshëm në MPB, Arben Mustafa, kanë dalë para gjykatës. Atyre, prokurori ka kërkuar t’u caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.
Ndërkohë, hetuesi tjetër Faton Zabërxha, ndodhet në arrati.
Hetuesit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi po dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të marrjes së ryshfetit.
Gjatë arrestimit, hetuesit Osmani i janë gjetur 1450 euro të cilat i janë dhënë nga Mentor Maqani, sipas udhëzimeve të Inspektoratit Policor.
Ndërkohë, hetuesit tjetër, Lutfi Manxhiqit, IPK i ka gjetur gjatë bastisjes 9 mijë euro dhe dy Kallashnikovë.
Gazeta Insajderi, ka zbuluar se të gjitha këto krime janë bërë me ndërmjetësimin e një afaristi, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë për të zbuluar këtë zinxhir zyrtarësh të korruptuar.
Hetimet deri tash po çojnë edhe në drejtim të shefit të krimeve ekonomike, Bashkim Spahiu, i cili konsiderohet si dora e djathtë e drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.
Arrestimi i këtyre hetuesve tashmë i ka dhënë një drejtim tjetër hetimeve në rastin e Faton Dalladakut. Dalladaku, ka qenë shumë i afërt me këta zyrtarë policorë dhe me prokurorin, Armend Hamiti.
Hetimet po dëshmojnë se hetuesit kanë kërkuar dhe marrë para nga të dyshuarit.
Paratë e ryshfetit
Ismet Osmani, nga Mitrovica, biznesmeni Rrahim Hashimi dhe tre të tjerë ishin arrestuar nëntë muaj më parë nga Policia e Kosovës, me dyshimin se kanë kryer vepra penale të fajdesë dhe atë të detyrimit.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, Armend Hamiti, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika përmes të pandehurit Sami Nika, në qershor 2012, ia kishin dhënë një borxh prej 350.000.00 (prej të cilave 100,000.00 euro transfer bankar dhe 250,000.00 euro në dorë), të dëmtuarit Faton Dalladakut.
Sipas Prokurorisë, ata kishin lidhur një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë – shtëpisë, në lokacionin qyteza “Pejton-Prishtinë”, ku i pandehurit Sami Nika e kishte evidentuar në kadastër si pronë e tij, dhe duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Dalladaku, me rastin e dhënies së parave kishte kontraktuar një shumë jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit.
Po ashtu thuhet se i pandehuri Sami Nika, nga i dëmtuari Dalladaku, kishte marrë kamatë në shumë 50 mijë euro, kurse të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika në emër të gjetjes së parave nga Sami Nika, kishin marrë nga i dëmtuari Dalladaku nga 10.000 euro.
“Nga fundi i vitit 2013, dhe fillimi i vitit 2014, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, sipas prokurorisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Dalladaku , kishin shtuar presion ndaj tij, ia kishin dhënë Sahit Paqarizit shumë 250,000.00 euro sepse toka prej tre hektarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj e cila kishte vlerën 600,000.00 euro ishte e Paçarizit, i cili e kishte bërë bartjen e pronësisë së kësaj toke”, pretendon Prokuroria.
“Pasi në fillim të vitit 2014, i dëmtuari Dalladaku kishte dështuar në kthimin e shumës prej 350,000.00 euro, i pandehurit Sami Nika në bashkëkryerje më të pandehurit Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, kishin përdorur kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin Dalladaku të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Sipas kësaj kërkese, ata kishin shkuar në lagjen “Pejton”, në rrugën “Perandori Justinian”, ku ishte prona, e cila ishte objekt i shitblerjes mes Sami Nikës dhe të dëmtuarit Faton Dalladakut, kishin hyrë në shtëpi, me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kishin komunikuar me dëshmitarët Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, dhe kishin tentuar me forcë të merrnin çelësin e shtëpisë, të cilin dëshmitari Hajdaraj, fillimisht kishte refuzuar t’ua jap, por pas ashpërsisë së sjelljes së tyre, ishte detyruar t’ua jap.
Pas disa muajsh, të tre të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, e kishin detyruar të dëmtuari Dalladaku t’ua japë një pronë në sipërfaqe tre hektarësh në lokacionin afër QMI, në vlerë rreth 900,000.00 euro, por për borxhin e arritur i ishte llogaritu vetëm 700,000.00 euro.
Me këtë rast, siç thuhet në kërkesën e prokurorit për caktim të paraburgimit, Sami Nika nuk ia kishte kthyer shtëpinë të dëmtuarit Dalladaku, por kishte vazhduar ta mbaj edhe më tutje në emër të tij, ashtu që në vitin 2017, sipas një marrëveshje, të njëjtën ia kishte shitur Adil Thaqit, në shumë prej 260,000.00 euro.
Tutje, thuhet se i pandehuri Mentor Maqani, në shtator të vitit 2015, ka kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Faton Dalladaku, që të blejë pronën pesë hektarëshe afër QMI-së, në të cilën i dëmtuari kishte një leje ndërtimi për spital e që me kapital të tij, veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro duke i paguar 700.000.00 euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Euromed”.
Por, hetimet e reja po tregojnë se Dalladaku, është njëri prej njerëzve që me anë të mashtrimeve ka futur në kurth disa prej të arrestuarve. Mes tyre, Adil Thaçin, i cili kishte ndërmjetësuar në borxhe si pajtues.
Atij, i kishte shkuar në shtëpi vetë Dalladaku, së bashku me Naim Bytyqin, vëllanë e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Aferdita Bytyqi, duke kërkuar nga ai që t’ia shtyjë afatin e kthimit të borxhit, Mentor Maqani.
Hyrja e Thaçit në këtë mes, i cili në anën e Malishevës njihet si pleqnar dhe pajtues gjaqesh e ngatërresash, ka rezultuar me arrestimin e tij, krejtësisht bazuar në dëshmi të një dëshmitari të vetëm, Faton Dalladakut.