Telegrami Sot pak më parë raportoi për arrestimin e ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Faik Fazliut, i cili dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor, në një kafeteri mbrëmë në Prizren.
Mirëpo, pretendimet e policisë se Fazliu ka kërcënuar verbalisht një polic, i ka hedhur poshtë bashkëshortja e Fazliut, gazetarja Alketa Gashi – Fazliu.
Ajo në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se zyrtarët policorë kanë tejkaluar të gjitha kompetencat e tyre, duke e sulmuar dhe rrëzuar përtokë bashkëshortin e saj.
Madje, sipas saj, Fazliu nuk ka bërë asnjë reagim të vetëm.
“Ata e kanë sulmuar edhe e rrëzuan përtokë. E lidhën dhe e dërguan në polici. Zyrtarët policorë i kanë tejkaluar të gjitha kompetencat e tyre. Faiku nuk kishte asnjë reagim të vetëm, fare fare, aty isha me të”, tha ajo.
Gazeta Sinjali ka arritur të sigurojë videon nga momenti i arrestimit të ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, ku shihet se si një zyrtar policor, pas një fjalosje me Fazliun, e shtynë atë, duke e rrëzuar përtokë dhe pastaj ia vendos prangat.