Policia e Kosovës të shtunën (sot) ka ndaluar një veturë VW Caddy në fshatin Gurrakoc të Istogut, të cilit i është gjetur mish gjedhi në bagazh, që po e transportonte në kushte jo higjenike.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net, brenda policisë në rajonin e Pejës kanë bërë të ditur se automjeti bashkë me personin e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor dhe gjatë intervistimit, ai ka deklaruar se mishin e kishte për konsum familjar.
Për rastin janë informuar edhe inspektorati sanitar, të cilët kanë konstatuar se në bagazh kishte pesë kofshë mish gjedhi, rreth 120 kg, rreth 15 kg mëlqi, dhe rreth 20 kg mish të terur, përshutë.
Meqë mishi nuk kishte asnjë dokument, ishte pa origjinë dhe në kushte jo higjenike, është bërë asgjësimi i tij.
Lidhur me rastin raportohet të jetë informuar edhe Prokurori i cili ka kërkuar që inspektorati komunal të vazhdojë me procedurat e mëtutjeshme, dhe i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.