Në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar rreth projekt-rezolutës për mbrojtjen e vlerave të popullit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar për votim rreth projekt-rezolutës për mbrojtjen e vlerave të popullit.
Për këtë rezolutë është duke pasur përplasje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka bërë të ditur edhe një herë që nuk do ta votojnë këtë projekt-rezolutë nëse sillet ashtu siç është.
Ai ka thënë se qëndrimin për Gjykatën Speciale, Vetëvendosje e ka thënë më 3 gusht të vitit 2015 kur ka votuar kundër themelimit të saj.
Selimi ka deklaruar se nëse dëshirojnë votën e Vetëvendosjes atëherë, duhet ta ndryshojnë tekstin e projekt-rezolutës dhe të bashkëpunojnë me ta.
“Pse po kërkoni bashkëpunim e po refuzoni harmonizim dhe këtë s’po e kuptoj dhe po ashtu po kërkoni unitet pa bashkëpunim. Me këtë rezolutë, nuk shlyhet vota për Gjykatën Speciale në vitin 2015. Prandaj ne si LVV mbetemi në pozita të njëjta siç kemi qenë në 2015. Nëse na e sillni këtë rezolutë kështu siç është ne nuk lëvizim nga pozicioni i 2015-s. Dhe prandaj kërkova që ta ndryshoni, nëse edhe dëshironi të ndryshojmë pozicion nga 2015-a…. nuk e di pse po duhet kaq shumë me e ri-fol qëndrimin e LVV-së që nga 3 gushti i 2015. Nuk e di pse ndryshon kjo rezolutë nga ajo që keni votuar më 2015”,deklaroi Selimi, raporton lajmi.net.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka ftuar Vetëvendosjen që të mos ndahet nga grupet e tjera parlamentare dhe ta votojnë këtë projekt-rezolutë.
“Ne nuk i ndërrojmë qëndrimet tona. Qëndrimet tona janë të ditura. Sot rezoluta ka diçka që shkon përtej asaj vote. Sot kjo rezolutë ka nevojë për një unitet për popullin. Ju mund të keni rezervat e juaj dhe ju ftoj që ju të mos ndaheni nga grupet e tjera parlamentare dhe mendoj se është rezolutë dhe tekst mjaftë i mirë”, deklaroi Krasniqi.
Mirëpo, Selimi përsëri replikoi ndaj deklaratës së deputetit Krasniqi.
“Zotëri Krasniqi ju po na ftoni të mos ndahemi. Zotëri Krasniqi, jemi ndarë më 2015”, deklaroi Selimi.