Përplasje, shtyrje dhe gaz lotsjellës mes policisë e protestuesve në uzinën e Ballshit.
Naftëtarët janë mbledhur sërish në protestë para godinës së uzinës dhe kanë kërkuar pagat e prapambetura e rikthimin në punë. Një kordon policie është vënë para tyre dhe momentet e tensionit kanë qenë të shpeshta. Në njërin prej tyre policia ka përdorur dhe gazin lotsjellës, e për pasojë një nga naftëtarët ka rënë në tokë pa ndjenja.
“Duam lekët tona” janë thirrjet që dëgjohen mes protestusve të cilët tentojnë të futën me forcë brenda uzinës.
Kujtojmë se një javë më parë autoritetet kishin premtuar se do t’u jepnin të gjitha pagat e prapambetura naftëtarëve, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Naftëtarët vetë kanë deklaruar këtë të hënë se nuk do të tërhiqen derisa të marrin pagat që u takojnë. Më tutje ata kanë deklaruar se uzina është fikur prej 8 muajsh dhe rrezikohet të ketë deri në shpërthime, pasi pajisjet e uzinës kërkojnë mirëmbajtje.
Kompania Hallum administratore e uzinës prej 5 muajsh premtoi shlyerjen e një page brenda javës së kaluar por akoma nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë.