Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka filluar misionin e tij ‘për t’i dalë zot” kryeqytetit, i cili sipas tij, duhet të njihet si qytet me karakter unik në bote.
“Sepse e tillë është në esencë. Jo si një qytet që është bërë simbol i kaosit urbanistik; nga objektet e egra, komunikacioni i dendur, gropat e thella e ndotja e ambientit. Qyteti jonë, sot, është tërësisht i ngulfatur“, ka shkruar ai në Facebook.
Me gjithë problemet që sot ka Prishtinë, Rama thotë se kjo s’duhet të jetë arsye për zhgënjim, përkundrazi, ai thotë, se gjendja e tanishme e kryeqytetit është thirrje për t’i përvjelë mëngët.
“Dhe, pas kaq vjetësh stagnimi kjo thirrje s’mund të injorohet më! Prishtina duhet të jetë qytet që ngërthen tradicionalen e modernen, natyrshëm. Qytet që u jep lumturi të moshuarve, rekreacion të rinjve dhe siguri prindërve.”
“Prishtinës duhet t’i kthehet shpirti”, ka shkruar tutje ai, duke pretuar se në këtë qytet, të gjithë do të ndihen sërish si në shtëpi.
“Do të marrim frymë lirshëm e do të kemi shumëçka për t’u krenuar. Plani im e i LDK-së për Prishtinën do të bëhet, në masë të madhe, në bazë të nevojave që do t’i paraqisni ju. Sepse, ju i jepni frymë këtij qyteti, ju jeni zëri më i fuqishëm që do të dëgjohet. Për t’ia dalë mbanë në këtë rrugëtim, ndihma juaj është e domosdoshme. Unë do të jem në çdo lagje, në çdo cep të qytetit e në secilin fshat; do t’ua zgjas dorën në rrugë e do t’u trokas derë më derë në shtëpi; do të dëgjoj vëmendshëm e do të flas hapur.”
Kandidati i LDK-së ka premtuar vëmendje e kujdes për fshatra, si asnjëherë më parë. Projektet e tij dhe të partisë së tij për fshatrat e kryeqytetit, Rama thotë se do t’i shpalosë pasi të dëgjojë edhe kërkesa e banorëve.
“Bashkë me ekipin tim dhe familjen e madhe të LDK-së, do të punojmë fort që Prishtina të jetë qyteti i të gjithëve. Kryeqytet i denjë i Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha, që të jetë destinacioni më interesant në rajon për t’u vizituar nga turistët. Sepse Prishtina do të jetë metropol. Vendi që do t’i kënaqë të gjithë; ata që jetojnë këtu, ata që banojnë përkohësisht dhe ata që e vizitojnë, qoftë edhe veç një herë në jetë”, shkroi më tej ai.
Rama thotë se ka ardhur koha që të punohet me vendosmëri për ëndrra dhe qëllim e të mëdha, për t’ia dhënë të mbarën Prishtinës.
Ai ka apeluar qytetarët që t’i shkruajnë për brengat, nevojat dhe dëshirat e tyre.
“Në këtë betejë për shpirtin e qytetit tonë, ne do të ngadhënjejmë vetëm nëse jemi bashkë si një familje. Unë, do t’i falem plotësisht Prishtinës! Ju ftoj të na bashkëngjiteni në këtë rrugëtim”, ka përfunduar ai.