Pas thirrjeve të shumta për dhurim të gjakut nga ana e Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, tashmë gjendja e rezervave të gjakut është stabile, por kritike mbetet sigurimi i grupeve negative.
Kështu ka deklaruar drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), Bukurije Zhubi , thotë se pas disa aksioneve që kanë ndërmarrë është stabilizuar gjendja e gjakut në këtë qendër.
Zhubi ka deklaruar se listës së kërkesave për produktet e gjakut iu janë shtuar edhe pacientët e infektuar me COVID-19.
“Ka një stabilizim të gjendjes së gjakut, është stabilizuar gjendja bukur mirë, por nëse nuk vazhdohet me dhurim të gjakut përsëri do biem në gjendje kritike. Është më se e kuptueshme gjendja me të cilën jemi si situatë sfiduese për të gjithë edhe për neve si Transfuzion i Gjakut, edhe për dhuruesit dhe çdo qytetar të Kosovës, por ne duhet t’i bashkojmë forcat dhe ta bëjmë atë që është më e mira dhe ta krijojmë mundësinë e vazhdimit të personave të tjerë që varen pikërisht nga gjaku… Krahas pacientëve të tjerë që marrim gjak dhe përbërës të gjakut po ashtu kanë marrë gjak edhe pacientët me COVID-19”, tha Zhubi.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut thekson se nevoja për grupet negative të gjakut vazhdon të mbetet kritike.
“Kërkesat e grupit 0 nga ana e pacientëve kanë qenë shumë të mëdha të cilët kanë marrë gjak dhe kjo ka shkaktuar një ulje të përkohshme të këtij grupi, zero pozitiv edhe pse ka qenë më i shpejt ka qenë me mangëti në këto dy javët e fundit, por sigurisht grupet negative janë ai problem kryesor të cilët e kanë të gjitha transfuzionet e gjakut në përgjithësi…Këto grupe janë në mungesë gjithmonë edhe tek ne ndihet pak mungesa e grupeve negative”, deklaroi Zhubi.
Edhe në Njësinë Rajonale të Tranfuzionit të Gjakut të Prizren thonë se aktualisht gjendja e rezervat të gjakut është stabile.
Shefi i këtij shërbimi, Shasivar Sallahu thotë se për shkak të pandemisë ka rënë numri i dhuruesve të gjakut.
“Rezervat në përgjithësi janë të mjaftueshme për të siguruar trajtimin e pacientëve që trajtohen në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Por në mënyrë të vazhdueshme apelojmë tek të gjithë ata që gëzojnë shëndet të mirë që së paku dy herë në vit të dhurojnë gjak në mënyrë që ne të mos kemi probleme rreth sigurimit të dozave të mjaftueshme për trajtimin e të gjithë pacientëve që kanë nevojë për këtë produkt më se të rëndësishëm… Në këto rrethana të pandemisë ka ndikuar që numri i dhuruesve qoftë familjar apo vullnetar për arsye të shumta ka rënë, kështu që ne ballafaqohemi me mungesë të mjaftueshme por gjithsesi nuk ka ndodhur që pacientët që ndodhen në repartet tona të pësojnë për shkak të produkteve të gjakut”, theksoi ai.
Kujtojmë se që nga përhapja e koronavirusit në Kosovës vazhdimisht është bërë thirrje për dhurim të gjakut pasi shpesh rezervat e gjakut në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut kanë qenë të ulëta