Nga Prishtina, të martën mori rrugën për në shtëpinë e tij në fshatin Sharban. Por, Ibrahim Xhemajli nuk arriti ta vizitonte atë, pasi nga reshjet e shiut të martën, lumi para shtëpisë së tij, doli nga shtrati.
E kjo bëri, që edhe urën që ndodhej këtu lumi ta merrte me vete.
Por, këto dëme këtu nga shiu që nuk u ndal gjatë gjithë së martës, nuk ishin të vetme.
Rrugë të tëra të këtij fshati, u vërshuan nga uji.
Ndërsa kjo bëri që shumë banorë të këtij fshati, të mbesin brenda shtëpive të tyre.
E nëpër këto rrugë, mund të lëviznin vetëm ata, që posedonin vetura adekuate për këto kushte.
Kryetari i fshatit, Isak Xhemajli, tregon arsyen se pse këto rrugë vërshohen sa herë që ka reshje të tilla.
Xhemajli, fajëson Komunën e Prishtinës, që nuk investoi sa duhet në këtë fshat.
Ndërsa, shtoi se fshatarët këtu, u dëmtuan edhe në bujqësi.
Ndërkohë, të martën punë iu doli edhe banorëve të fshatit Siqevë.
Edhe këtu, reshjet atmosferike, dëmtuan bujqit.
Banorët e këtyre dy fshatrave thonë që të vetmit që i vizituan, ishin nga Policia e Kosovës.
Por, kanë ankesat e tyre, pasi që, sipas tyre, nuk i vizitoi askush nga Komuna e Prishtinës.
Ndërkohë, T7, nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga këta të fundit, nëse parashihet t’u kompenzohen dëmet këtyre banorëve.