Dje ka përfunduar afati i ftesës/thirrjes publike të Kuvendit të Kosovës për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, raporton Gazeta Sinjali.
Deri në orën 16:00, Kuvendi njofton se kanë aplikuar 10 kandidatë: Valbona Shala-Thaqi, Bardh Bokshi, Shukri Sylejmani, Mentor Bogaj, Vigan Qorrolli, Bashkim Hyseni, Hilmi Jashari, Etrur Maloku, Ibrahim Mala dhe Haxhi Xhemajli.
Ai që bie në sy nga kjo listë është Etrur Maloku, emër i padëgjuar më parë në opinion, por një person që gëzon respektin e lartë në komunitetin e juristëve.
Ai njihet për profesionalizëm të dëshmuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale në fushën e drejtësisë.
Thirrja publike për gjyqtarë të Kushtetueses u hap sërish, pasi që Kuvendi më 3 qershor dështoi të zgjedhë kandidatin për gjyqtar të kësaj gjykate.
Dy emrat më të votuar nga të gjithë kandidatët e kaluar ishin Vigan Qorrolli, i cili mori 49 vota dhe Haxhi Xhemajli 38 vota.
Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk arriti që t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u propozuar për gjyqtar të Kushtetueses, për çka edhe u përsërit konkursi.
Gjykata Kushtetuese përbëhet prej nëntë gjyqtarëve të cilët emërohen një herë dhe nuk kanë të drejtë të rizgjedhen. Mandati i tyre është 9-vjeçar.