Sulmuesi anësor i Romës, Carles Perez, ka thënë se ai nuk e kupton pse u shit nga Barcelona në Romë, përkundër që tha se është i lumtur në Olimpico, duke treguar edhe një herë se transferimi nuk u bë me dëshirën e tij.
Carlez Perez u ngrit përmes akademisë La Masia si i ri, para se të debutonte në ekipin e parë të Barcelonës. Megjithatë, ai u përball me shumë vështirësi në tentimin për ta gjetur një vend në formacionin e parë të Barcelonës.
Spanjolli arriti t’i bëjë vetëm 27 paraqitje gjithsej për klubin katalonas, përfshirë këtu shtatë në pjesën e parë të sezonit 2019/20, mirëpo klubi vendosi ta shesë atë gjatë afatit kalimtar të janarit.
Roma e mori Perezin fillimisht si huazim, mirëpo me opsionin për ta blerë atë për 11 milionë euro në qershor, kur futbollistit do t’i ofrohet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare.
Tani, ai dhe bashkëlojtarët e tij po bëhen gati për përballjen me Sevillën në 1/8 e finales së Ligës së Evropës dhe, para kësaj ndeshjeve, Perez edhe një herë ka pretenduar se ai u shit pa dëshirën e tij.
“Nuk e kuptoj pse u largova. Ndoshta klubi kishte nevojë për para, por unë nuk e di arsyen e vërtetë. Nuk mendoj se e meritoja të më largonin”, ka thënë Perez.
“Që nga koha kur isha ende lojtar i akademisë, unë kisha oferta për ta lënë Barcelonën. Por, unë gjithmonë u thosha jo sepse doja të luaja me ekipin e parë të Barcelonës”.
“Megjithatë, kjo është në të kaluarën tani dhe unë jam i lumtur në Romë”.
Perez ka luajtur në 16 ndeshje në të gjitha garat për gjigantin italian këtë sezon, duke kontribuar me dy gola dhe tre asiste që nga transferimi i tij.