Përveç përplasjeve Mustafa-Osmani në qendër, Lidhja Demokratike e Kosovës s’po gjen qetësi as në degët e saj.
Pas Mitrovicës, tensione tashmë duket se ka edhe në Ferizaj, meqë një grup asamblistësh kërkojnë një emër të ri për të zëvendësuar kreun aktual të Degës, Muharrem Sfarqën, pasi thonë se ka pakënaqësi me këtë të fundit dhe se duhet një unifikim i Degës.
Një grup prej tetë asamblistësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj do të provojnë që në bashkëpunim me organet e partisë të gjejnë një kandidat konsensual i cili do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale atje.
Një gjë të tillë për Express e ka konfirmuar, Gëzim Kokollari, një prej asamblistëve që po kërkojnë unifikimin e degës së LDK’së në Ferizaj që drejtohet nga Muharrem Sfarqa.
Kokollari ka thënë se ka një pakënaqësi me Sfarqën dhe se shumica e nëndegëve të partisë në Ferizaj duan një person tjetër në krye të LDK’së në vend të Sfarqës.
“Është realisht një pakënaqësi. Zgjedhjet lokale po afrohen. Dhe ne duam ta gjejmë një kryetar që i fiton zgjedhjet në Ferizaj. Do të mundohemi të gjejmë një kryetar të përbashkët që i fiton zgjedhjet. Është kërkesë e shumicës, që të gjendet një person tjetër. Një person konsensual që t’i fitojë zgjedhjet”, ka thënë Kokollari.
Asamblisti i LDK’së ka thënë se kjo iniciativë nuk ka kryefjalë shkarkimin e Sfarqës, por unifikimin e Degës, meqë ai thotë se pas zgjedhjeve të fundit lokale nuk është që ka dalë shumë e bashkuar. Kokollari thotë se këtë po e bëjnë edhe për arsye se besojnë që Komuna e Ferizajt duhet të qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në këtë përpjekje Kokollari ka thënë se do të jenë bashkë me Muharrem Sfarqën.
“Iniciativa jonë është për unifikim të Degës, sepse dihet se prej zgjedhjeve të fundit, për Ferziaj po flas, nuk është që ka dalë shumë e bashkuar. Kryefjala e iniciativës nuk është shkarkimi, por ideja është me u unifikua rreth një kryetari konsensual. 8 asamblistë jemi aktiv në këtë iniciativë. Kjo është një kërkesës edhe e anëtarësisë për me u unifiku Dega. Ideja jonë është që të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme komunale. Sepse mendojmë që Ferizaj ka nevojë për një kryetar të LDK’së. Realisht kërkesa është që ta gjejmë një kryetar konsensual bashkë me kryetarin Sfarqa. Sido që të jetë, ne do të ndjekim të gjitha mundësitë të bëjmë unfikimin e Degës. Ne e kemi marrë këtë drejtë si votues të popullit”, ka shtuar tutje Kokollari.
I pyetur nëse kjo iniciativë për të gjetur një zëvendësim për Sfarqën, ka të bëjë me përplasjen e fundit në qendër mes Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, Kokollari ka thënë se s’pranon të lëshohet në paragjykime, derisa thotë se janë një grup i organizuar mirë dhe se dëshirojnë që këtë ndryshim ta bëjnë të gjithë bashkë.
“Ne nuk jemi të interesuar të paragjykojmë se si do të rrjedh procedura. Krejt çka mundem të konfirmoj , është që jemi një grup i organizuar mirë, dhe që kemi marrë një mbështetje nga strukturat e gjëra të partisë në Ferizaj. Shumica prej tyre janë për këtë iniciativë, që të bëjmë një ndryshim gjithë bashkë. Dhe shumica prej tyre kërkojnë, që të gjendet një gjuhë e përbashkët. Do të provojmë të bisedojmë edhe me qendër. Por sot për sot s’mund të them më shumë”, ka përfunduar Kokollari.
Megjithatë vetë kreu i Degës së LDK’së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa thotë se s’ka njohuri për një zhvillim të tillë.
“Skam kurrfarë informacioni”, ka thënë shkurtimisht Sfarqa për Gazetën Express.
Ky problem në Degën e Ferizajt vjen pas përplasjes së para pak ditëve që ka ndodhur në Degën e Mitrovicës. Dy kryetar të nëndegëve kishin shpërthyer me akuza ndaj Safet Kamberit. Këta kryetarë të nëndegëve të LDK’së në akuza e sipër, kishin thënë se mes Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit do të zgjedhin këtë të fundit.
Ndërkohë vetë kreu i Degës së LDK’së atje, Safet Kamberi për Gazetën Express ka treguar se kanë shkarkuar nga pozitat në nëndegë, Tafil Pecin dhe Bekim Mujën, meqë për të dy thotë se në zgjedhjet e fundit kishin punuar prapa shpinës së partisë për Agim Bahtirin dhe se tashmë mbajnë pozita të drejtorëve në Komunën Jugore të Mitrovicës.
“Është histori e gjatë. Qysh prej zgjedhjeve të fundit në 2017, kur ata dhe disa të tjerë e kanë thyer vendimin e LDK’së dhe kanë bërë koalicion me Agim Bahtirin dhe pas kësaj ata kanë marrë pozita në Komunë, janë drejtor të Agimit të VV’së. Dhe ka qenë kërkesë e Degës qendrore që me marrë masa në raport me njerëzit që si respektojnë vendimet e partisë. Ata kanë vazhduar deri tash të dëmtojnë imazhin e partisë. Dhe ne mbrëmë në takimin e Degës, kemi vendosur t’i shkarkojmë”, kishte dekalaruar më 10 tetor Safet Kamberi.