Vjedhjet e pronave të qytetarëve, qofshin ato në shtëpi banimi, dyqane apo vetura, gjatë tri vjetëve të fundit në Kosovë kanë qenë të larta.
Mbi 30 mijë raste të vjedhjeve janë evidentuar prej vitit 2017 deri në vitin 2019.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë tri vjetëve të fundit prej 30 mijë rasteve të vjedhjeve, 13 mijë prej tyre janë cilësuar si
vjedhje të rënda, në të cilat është përdorur forcë apo kryesi ka vepruar në mënyrë të rrezikshme gjatë vjedhjes.
Madje, disa nga vjedhjet kanë përfunduar edhe me qytetarë të vrarë, të cilët i kanë dalë në mbrojtje pronës së vetë.
Në vitin 2018 në Plloçicë të Malishevës ishin vrarë dy vëllezër teksa po i ndiqnin hajnat në oborrin e tyre. Ndërsa, në Shtime gjatë muajit gusht të këtij viti një hajdut është rrahur për vdekje, derisa vodhi shtëpinë e një mërgimtari dhe e plagosi atë.
Vetëm gjatë viti 2017, Policia e Kosovës ka evidentuar afro 11 mijë raste të vjedhjeve, e prej tyre 5 mijë e 200 janë cilësuar si raste të vjedhjeve të rënda, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurse, vjedhje në tentativë gjatë vitit 2017 janë evidentuar 981 raste prej tyre 553 raste të vjedhjeve të rënda në tentativë.
Sipas të dhënave të policisë edhe në vitin 2018 rastet e vjedhje kanë qenë të larta, afro 11 mijë raste të vjedhjeve janë raportuar, e prej tyre mbi 4 mijë e 600 raste janë cilësuar si vjedhje të rënda.
Ndërsa, raste të vjedhjeve në tentativë rezultojnë të jenë 940 raste, ku prej tyre 538 raste të vjedhjeve të rënda.
As viti 2019 nuk ka qenë më me pak raste të vjedhjeve, nga janari deri më tani janë evidentuar afro 8 mijë raste, ndërsa prej tyre 3 mijë e 208 janë cilësuar si vjedhje e rëndë.
E raste në tentativë gjatë vitit 2019 janë evidentuar afro 700 raste prej tyre 376 raste të vjedhjeve të rënda.