Lajmi për tërmetin e fuqishëm që tronditi ditën e shtunë Shqipërinë është raportuar në disa nga mediat më prestigjoze ndërkombëtare.
Nga CNN deri tek “Der Spiegel” dhe “Reuters” kanë shkruar për dëmet dhe të lënduarit, si dhe për faktin se ishte lëkundja më e fuqishme në dekada.
Në Shtetet e Bashkuara, CNN ka bërë gjithashtu një raportim të detajuar mbi lëkundjen e fuqishme sizmike.
Rrjeti informativ amerikan citon Qendrën Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara, sipas të cilës epiqendra e lëkundjes ishte në bregdetin e qytetit-port të Durrësit, 35 kilometra në perëndim të Tiranës.
Një pasqyrim të ngjashëm ka bërë edhe agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila ka përmendur edhe faktin se lëkundja e parë u pasua nga një lëkundje tjetër e fuqishme.
Ndërkohë, në Gjermani kanë qenë revistat prestigjoze “Der Spiegel” dhe “Bild” që kanë raportuar lajmin online, si dhe rrjeti informativ “Deutsche Welle”, që ka dhënë të njëjtat detaje sikundër mediat e tjera.