Brenda dhjetë minutash, kanë ndodhur dy grabitje nëpër filialet e dy bankave në kryeqytet. Njëra grabitje ka ndodhur në kryëzimin e rrugës “Bill Clinton”, derisa tjetra në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu”.
Rastet për Gazetën Express i ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Për grabitjen te “Bill Clintoni”, Borovci ka thënë se bazuar në informacionet e para dyshohet se grabitja është kryer nga një person.
“Rreth orës 10:40 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare në kryqëzimin e rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendngjarje dhe nga informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person. Policia ka filluar hetimet bashke me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim ndriçimin e rastit”, ka thënë Borovci.
Edhe grabitja në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu” dyshohet të jetë kryer nga një person.
“Rreth orës 10:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu” në Prishtinë . Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë i armatosur. Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit”, ka deklaruar Borovci.