Presidenti Hashim Thaçi pas pesë orësh marrje në pyetje nga Gjykata Speciale në një paraqitje të shkurtër për media ka bërë të ditur se do të intervistohet edhe nesër.
Thaçi ka thënë se sot ka dëgjuar shkëmbimet mes avokatit të tij, Pierre-Richard Prosper dhe prokurorëve, shkruan Reporteri.net.“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknaliteteve të ndryshme mes avokatit z. Prosper dhe prokurorëve, çështjet sqaruese teknike dhe në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për UÇK, kështu që do të vazhdon nesër”, ka deklaruar Thaçi pas intervistimit.
Pra presidenti Thaçi ka konfirmuar se ai nuk është mbrojtur në heshtje.
Thaçi nuk dha detaje të tjera se çfarë konkretisht është pyetur, por tha se intervistimi i tij vazhdon edhe nesër.
Pas adresimit të shkurtër para mediave, Thaçi nuk foli edhe pse gazetarët tentuan t’i bëjnë pyetje.
Kujtojmë se Thaçi sot pasi mbërriti në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë për intervistim nga prokurorët tha se gjendet këtu për të respektuar atë që e ka ëndërruar dhe për çka ka lufutar, lirinë e vendit.
“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim. Asnjëri nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri. Besoj në paqe, të vërtetën dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mirë me gjithë fqinjët. Kosova është storje suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi e përhershme me SHBA-në”, ka thënë Thaçi para selisë së Speciales, teksa dëgjoheshin brohoritjet UÇK-UÇK dhe Thaçi – Thaçi.