Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se është hera e parë që në Kosovë janë mbledhur më shumë se 51 iniciativa në Kuvendin e Kosovës, e që sipas tij nuk po arrijnë që të kalojnë, shkruan Gazeta Express.
“Është hera e parë që në Kuvendin e Kosovës mblidhen mbi 51 rezoluta të cilat nuk po arrijnë që ta kalojnë. Asnjëherë nuk e kemi pasur një shumicë më të dobët sesa që ka sot Kosova. Sot kemi hyrë në një ngërç si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë Tahiri, në emisionin Frontal në T7.
Deputeti i PDK-së ka folur edhe për veprimet e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje karshi zëvendëskryeministrit Selmanaj, shkruan Gazeta Express.
“Qeveria e ka vendin e vet aty por njëkohësisht është e papranueshme edhe fyerja apo degradimi që e ka bërë një zv.kryeministër i Kosovës dhe shpërfillja e tij si rezultat i organizatave që avokojnë për të pagjeturit në Kosovë”, ka thënë më tutje ai.
Dy fjalë Tahir i pati edhe rreth rastit të fitimit të tenderit 5 milion euro nga ministri Blerim Kuçi.
“Nuk është duke i shkarkuar ata që po abuzojnë dhe është bërë shumë normale që të merr tender 65 milion euro ministri në vendin e vet. Me një kryeministër normal gjënë e parë që do të duhej të bënte është që ri kërkojë ministrit të mos e nënshkruaj kontratën ose të ofroj dorëheqjen”, ka thënë ai.
Tahiri theksoi se njerëzit e kësaj Qeverie janë të pacipë e të pafytyrë.
“Kjo që po e shohim sot, vjedhjen qe po e shohim sot, kaq të pafytyrë, kaq të pacipë, nga këta njerëz, nga kjo Qeveri dhe vijnë pa marre dhe përballen në Kuvendin e Kosovës dhe tentojnë që të nxjerrin një temë normale kjo nuk është aspak normale”, ka deklaruar ai në T7.
“Po dyshoj që ky është pjesë e pazareve sepse në të kundërtën le të shkonte në shtëpi. Kjo që ka ndodhur sot është fyese, degraduese”, ka thënë më tutje ai.
Deputeti i PDK-së ka folur edhe për mocionin e mosbesimit të iniciuar nga VV-ja kundrejt Qeverisë “Hoti”.
“Përveç ftesave përmes zyrave televizive nuk kemi pasur ftesa të tjera. Asnjëherë nuk na kanë ftuar zyrtarisht, përveç atyre prej studiove. Interesi është për ta rrëzuar këtë Qeveri dhe për ta çuar Qeverinë në zgjedhje, interesi është për ta kthyer vendin tek qytetarët”, ka thënë ai.