PDK’ja e sheh të ngjashme me planet e “ideologëve serbomëdhenj” idenë e ministrit Blerim Reka për dhënien e daljes më det për Sërbinë si kompromis për marrëveshje. Partia e Kadri Veselit kërkon nga Kryeministri Kurti shkarkimin e Rekës.
Ministri për Integrime Evropiane, Blerim Reka, ka thënë dje se kompromisi më i madh që Kosova do të mund të bënte për marrëveshje me Serbinë, është t’ia sigurojë daljen në det.
Partia e Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, e ka dënuar këtë deklaratë të Rekës.
“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tepër shqetësuese dhe të rrezikshme idenë e promovuar nga Qeveria e Albin Kurtit, përkatësisht
Ministri i tij Blerim Reka, me të cilën do t’i bëhej një favor jashtëzakonisht i madh shtetit serb, ndërsa do të rrezikohej ekzistenca e shtetit të Kosovës. Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik”, thuhet në komunikatën e PDK’së.
Sipas PDK’së, ideja e ministrit Reka është e krahasueshme në projektet dhe përpjekjet historike të Serbisë për ta zhbërë Kosovën.
“Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar”.
“Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike”.
PDK’ja thotë se Vetëvendosje po mundohet ta realizojë atë që nuk kanë arritur ta bëjnë “ideologët serbomëdhenj”
“Me një fjalë, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë një parti e vetëquajtur nacionaliste – Vetëvendosje”.
“Ky propozim është anti-kombëtar. I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik”.
Në fund, PDK’ja kërkon nga kryeministri Kurti shkarkimin e ministrit Reka.
“PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar”, thuhet në komunikatë.