Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media e ka konsideruar si të nxituar takimin e së enjtes në Bruksel.
Sipas PDK-së, në këtë takim delegacioni i Kosovës ishte pa protokoll dhe i pabarabartë në raport me Serbinë.
Nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Hoti nuk e njeh procesin e dialogut dhe se nuk ka ide se si negociohet, shkruan Reporteri.
Sipas Hoxhajt me një Qeveri të tillë të papërgatitur për dialog Kosova mund të humb shumë dhe pasojat mund të jetë afatgjata.
“Delegacioni i Kosovës pranoi të qëndrojë i ulur pa protokoll dhe i pabarabartë në Bruksel, ku në anën e Serbisë ishte ulur Miroslav Lajçak. Nga ky takim u pa që kryeministri Hoti është mashtruar nga Serbia në përcaktimin dhe renditjen e temave. Për herë të parë është rikthyer në proces të dialogut tema e të rikthyerve serbë nga Kosova e cila është përmbyllur para një dekade.
Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet sa i përket të zhvendosurve serbë. Kjo është përpjekje e Serbisë për me e kriju një temë artificiale që ta kthejë Kosovën në vitin 200. Kryeministri Hoti nuk ka ide se si negociohet dhe nëse ka dikush qe mund te humb është padyshim Kosova. Nuk e kemi pa në korridoret e Brukselit asnjë ekspert që e ka pasë kryeministri. Kemi frikë se gabimet që mund ti bëjë qeveria janë të mëdha dhe me pasoja për vendi, u shpreh Hoxhaj.
Ai foli edhe për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në Qeveri, derisa tha se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë, si i para disa muajve më parë.
“Ne si PDK e kemi qëndrimin që e kemi pasë tash e disa muaj, deri tash askush nuk ka diskutuar për temën se a do të duhej të hynim në Qeveri. Ne mbesim në opozitë”, u shpreh Hoxhaj.