Të enjten (13 gusht, 2020), Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara e kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kanë njoftuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar këtë marrëveshje si përparim historik në diplomaci që do ndikojë në shtrirjen e paqes në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Delegacionet nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të takohen në javët e ardhshme për të nënshkruar marrëveshje bilaterale në lidhje me investimet, turizmin, fluturimet direkte, sigurinë, telekomunikacionin, teknologjinë, energjinë, kujdesin shëndetësor, kulturën, mjedisin, krijimin e ambasadave reciproke, dhe fusha të tjera me përfitim të ndërsjellë”.
“Hapja e lidhjeve të drejtpërdrejta midis dy prej shoqërive më dinamike të Lindjes së Mesme dhe ekonomive të përparuara do të transformojë rajonin duke nxitur rritjen ekonomike, duke rritur inovacionin teknologjik dhe duke krijuar marrëdhënie më të ngushta midis njerëzve”.