Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar pasqyrat e të hyrave dhe shpenzimeve të partive politikegjatë fushatës së fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.
Ajo që vërehet, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, është se ka një s’përputhje në mes të të hyrave dhe shpenzimeve.
Të gjitha partitë deklarojnë deficit të lartë në shpenzime, por u mungon edhe transparenca rreth burimeve nga i kanë siguruar ato mjete.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se në përgjithësi nuk ka ndryshime politike në rritjen transparencës për të gjitha shpenzimet e partive politike në financimin e fushatave.
Ai thotë se ende ka shpenzime të shumta, të cilat janë parë se janë bërë, por të cilat nuk figurojnë se janë në listat e partive politike.
“Rrjedhimisht, ka një mungesë të transparencës dhe llogaridhënës për sa i përket kësaj fushe. Pra, partitë politike vazhdojnë që të jenë ende organizata të mbyllura, të cilat nuk e tregojnë realitetin për sa i përket shpenzimit të buxhetit”, thotë Musliu.
Në publikimin e të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shpjegohet se subjektet politike kryesisht ato më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, kanë shpenzuar rreth dy milionë euro.
Këto parti kanë deklaruar se kanë pasur të hyra rreth gjysmë milioni euro, nga kjo vlerë rreth 209 mijë euro janë donacione, kurse mbi 250 mijë euro mjete të ndara nga Kuvendi i Kosovës.
Në bazë të këtyre të dhënave të paraqitura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, figuron se partitë politike kanë deficit prej mbi 1.5 milion euro.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile që e kanë monitoruar procesin zgjedhor, pikërisht te kjo vlerë dyshojnë në mostransparencën e mjeteve të shpenzuara për fushatë, madje kërkojnë burimin e këtyre mjeteve.
“Pasojat e kësaj mungese të transparencës janë të mëdha, sepse realisht të zgjedhurit e popullit që vijnë nga këto parti politike përderisa në arritjen e synimeve të tyre nuk janë fare transparentë, atëherë nuk mund të presim edhe një qeverisje të mirë, e cila duhet të jetë e ndërtuar mbi parimet e sundimit të ligjit të qeverisjes së mirë”, vlerëson Musliu.
Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thotë për Radion Evropa e Lirë, se me qëllim të rritjes së transparencës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dosjen e informimit publik të subjekteve politike dhe të kandidatëve nga fushata e zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën më 6 tetor.
Ai theksoi se neni 43 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, specifikon se KQZ-ja përmes Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim krijon dhe ruan një dosje të informimit publik, e cila përmban regjistrin e donatorëve të secilit subjekt politik, raportet e publikimit financiar të fushatës së subjekteve politike të dorëzuara në KQZ dhe formularët e publikimit financiar për kandidatët e zgjedhur.
“Këto që janë publikuar, nuk janë raporte të audituara. Auditimi i raporteve bëhet nga auditorë, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe sigurisht se edhe raportet pas auditimit do të publikohen”, thekson Elezi.
Rezarta Delibashzade – Krasniqi nga organizata për Demokraci për Zhvillim thotë për Radion Evropa e Lirë, se është pozitive që KQZ -ja ka publikuar me kohë raportet e shpenzimeve të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
Ajo thotë, po ashtu, se një aspekt që bie në sy nga analiza e raporteve është shuma e vogël e donacioneve rreth 200 mijë euro për pesë subjektet kryesore politike.
“Një numër i bizneseve të mëdha japin donacione shumëfish më të larta sesa kufizimet ligjore prej jo më shumë se dhjetë mijë euro brenda vitit, që i shtynë subjektet politike të mos i deklarojnë fare këto shuma të marra përmes rrugëve joformale. Kjo e bën më të lehtë edhe shpenzimin e tyre pa i respektuar rregullat e prokurimit. Përndryshe, nuk mund të shpjegohet fakti që partitë kanë shpenzuar tri herë më shumë sesa që kanë pasur mjete në dispozicion, dhe kjo vetëm sipas deklarimeve zyrtare ngase shumat mund të jenë dukshëm më të larta”, thekson Delibashzade – Krasniqi.
Ligji për financimin e partive politike, burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhet nga financimi publik përmes buxhetit të Republikës së Kosovës. Shuma e mjeteve buxhetore, dedikuar fondit për mbështetjen e subjekteve politike, nuk mund të kalojë 0,17 për qind të buxhetit të Kosovës dhe donacionet e tjera.
Kurse, në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës, që bazohet në numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve, në kohën e freskimit të fundit nga KQZ-ja.