Me ndihmën e radarëve shkencëtarët e Hamburgut mund të parashikojnë goditjen në tru dhe sulmin në zemër në fazën e hershme edhe pa kontakt të drejtpërdrejtë.
Edhe te sëmundjet e pashërueshme të personave të sëmurë është e mundshme që në këtë mënyrë të parashikohet vdekja.
Ky zbulim është arritur falë idesë së profesorit të Universitetit Teknik të Hamburgut, Alexander Kelpin, transmeton Telegrafi.
Ai është nisur nga fakti se nëse është e mundur të përcaktohet pozicioni i anijes me ndihmën e radarit, të llogaritet lartësia në të cilën fluturon avioni ose të regjistrohet shpejtësia e automjeteve në autostradë, atëherë kjo teknologji pa kontakt mund të përdoret edhe në mjekësi.
Sensorët e radarëve kanë potencial të madh dhe me ndihmën e tyre ekzaminimet mjekësore mund të jenë më lehta, më të sigurta dhe më efikase, thotë profesor Kelpin.
Ideja nuk është e re, por Kelpin dhe ekipi i tij kërkimor janë të parët në Evropë që zhvillojnë sisteme radari për mjekësinë dhe tashmë kanë kryer prova klinike mbi pacientët.