Ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë – Serbi, Skender Hyseni, thotë se Kosova nuk mund të ecë përpara pa e përmbyllur dialogun e saj me Serbinë.
Sipas tij, sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit janë të lidhura me dialog, teksa ka paralajmëruar se nëse nuk kemi përfundim të dialogut, atëherë mund të rrezikojmë të destabilizojmë rajonin.
“Kosova do të vazhdojë të mbesë në status-quo, nëse ky kontest historik me Serbinë nuk mbyllet një herë e mirë. Kjo ndikon në përparimin e Kosovës. Anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe mekanizma tjera ku do të duhej të anëtarësohej si shtet i pavarur dhe sovran. Është nevojë akute, jetike për Kosovën që një herë e mirë ta mbyllë këtë temë pasi nuk kemi të ardhme pa mbyllur kontestin historik me Serbinë“, tha ai në T7.