Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve N.S dhe F.A.
Të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat “Vrasje e rëndë në tentativë dhe bashkëkryerje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Me dt.12.06.2018, rreth orës 17.15 minuta, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, të pandehurit N.S dhe F.A në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar që ta privojnë nga jeta tani të dëmtuarin Z.J dhe njëkohësisht kanë rrezikuar edhe jetën e N.U për shkak të një konflikti të mëhershëm”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Të pandehurit kishin shfrytëzuar momentin përderisa kishte qenë kolonë në rrugë dhe njëri nga ta ishte afruar tek pasagjeri i automjetit dhe pasi që dritarja e automjetit kishte qenë e hapur, kishte futur dorën brenda në veturë dhe me armë zjarri kishte shtënë 13 herë në drejtim të të dëmtuarit Z.J, me ç’rast të dëmtuarve iu kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe të pandehurit me shpejtësi ishin larguar nga vendi i ngjarjes “.
Sipas gjykatës kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.S dhe F.A është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.