Papa Françesku është duke vizituar pjesë të Irakut verior që u kontrolluan dikur nga militantët e Shtetit Islamik (ISIS) në ditën e tretë të udhëtimit të tij historik në Irak.
ISIS-i pushtoi rajonin në vitin 2014, me synim largimin e të krishterëve dhe pakicave e tjera. Të krishterët janë kthyer që kur ISIS-i u mund në vitin 2017, raporton BBC.
Gjatë ditës së sotme, Papa do të kremtojë meshën në një stadium futbolli në Irbil, me deri në 10 mijë pjesëmarrës të pritur.
Ekziston frika se rituali mund të bëhet një ngjarje e madhe për përhapjen e koronavirusit, që në Irak ka pasur rritje të vazhdueshme të infeksioneve kohëve të fundit.
Udhëheqësi 84-vjeçar i Kishës Katolike dhe shoqëruesit e tij janë vaksinuar të gjithë, por Iraku mori vetëm grupin e parë të dozave javën e kaluar.
Udhëtimi katër-ditor, i cili filloi të premten, është i pari i Papës që nga fillimi i pandemisë më shumë se një vit më parë dhe vizita e parë ndonjëherë në Irak. Për këtë vizitë, janë përkujdesur mbi 10 mijë personel të Froca të Sigurisë Irakiane.
Disa grupe militante myslimane shiite thuhet se e kanë kundërshtuar vizitën, duke thënë se udhëtimi përbën ndërhyrje të Perëndimit në punët e vendit.
Më vonë, Papa do të udhëtojë në Mosul, një ish-bastion i ISIS-it për tre vjet, ku ai do të bëjë lutje në Sheshin e Kishës për viktimat e luftës me grupin militant mysliman suni, i cili la të vdekur dhjetëra mijëra civilë.
Ai më pas do të vizitojë kishën më të madhe të Irakut, e cila u shkatërrua pjesërisht nga ISIS-i, në Qaraqosh, ku të krishterët janë kthyer që nga disfata e grupit islamik.