orë larg shtëpisë.
Orët e gjata në punë e lodhja e kishin bërë që të mos e shijonte si duhet prindërimin. Por, gjërat ndryshuan në marsin e vitit 2020.
Për Labinotin kjo ishte hera e parë që do qëndronte 24 orë në shtëpi me fëmijën dhe bashkëshorten e tij, Marigonën.
Ata u bënë prindër për të dytën herë më 24 mars 2020. Atë periudhë e përshkruan si shumë stresuese pasi nuk kishte mundësi të ishte pranë gruas dhe vajzës në spital, por njëherësh ai përjetoi diçka që në katër vjetët si baba nuk e kishte përjetuar asnjëherë – qëndroi i vetëm me djalin.
“Ishte përvoja më e mira e jetës sime, se i ka ra djalit për herë të parë që të qëndrojë me mua. Diku rreth 72 orë, tri net”.
Këto tre ditë të qëndrimit me djalin e tij e bën që të reflektojë për kohën që ka humbur pa të, prandaj kur Marigona dhe Rea erdhën në shtëpi, ai u sigurua që do jetë më afër tyre.
“Para pesë vjetësh, kur ka lind Reisi, gjendja ka qenë normale. Më kujtohet që i kam pasur katër apo pesë ditë pushim, pasi ka lindur Marigona. Nuk ka qenë sikur në herën e dytë”.
Nga ai moment filloi edhe ndarja e punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët. Marigona merrej me vajzën e porsalindur, kurse kujdesi për Reisin do ishte komplet nën përkujdesjen e tij.
“Mua ky vit më ka bërë më të durueshëm, shumë më me përvojë, sepse përndryshe nuk do e kisha këtë përvojë. Pesë vjet i ka bërë djali edhe se kam pasur këtë përvojë që e kam bërë vetëm për një vit”.
Tani kur sektori i gastronomisë është mbyllur sërish, Labinoti qëndron në shtëpi me dy fëmijët e tij dhe Marigona shkon në punë. Këtë periudhë e përshkruan si një periudhë që e ka bërë të mësojë shumë për fëmijët dhe për vetën si baba.
Edhe për farmacistin, Fidan Reçica, periudha e pandemisë ka qenë ‘një bekim për të’.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Vjosa, u bënë prindër për herë të parë në fund të vitit 2019. Vajza e tyre Hana, erdhi në jetë dy muaj përpara kohës dhe i nevojitej më shumë kujdes. Marsi i 2020-ës ia ndryshoi rrjedhën e jetës.
Ndonëse për shkak të profesionit të tij ai detyrohej të punonte, ai gjithmonë kujdesej që të punonte me orar të shkurtuar dhe të ishte pranë vajzës dhe gruas.
“Neve na ka ra që të përkushtohemi edhe para pandemisë, por definitivisht pandemia ka qenë njëfarë bekimi. Ka qenë fat në fatkeqësi për prindër të rinj si unë dhe Vjosa, sepse na ka obliguar në njëfarë mënyre të mbyllemi brenda dhe të kalojmë më shumë kohë me çikën”, thotë ai për REL.
Pandemia i bëri që në heshtje t’i ndajnë edhe punët e shtëpisë. Vjosa kujdesej për vajzën gjatë ditës, kurse natën ishte ai që kujdesej për Hanën. Tani pas një viti ai e pastron dhe luan me të, kurse Vjosa e ushqen.
“Kur vjen koha me i mësu përgjegjësitë, ne si meshkuj i evitojmë leksionet kurse për nënat vjen më natyrshëm. Por, kur baballarët dëshirojnë të mësojnë, nuk e kanë aq të vështirë sa mund t’iu duket në fillim”.
Një pakt të heshtur për punët e shtëpisë dhe kujdesin për dy fëmijët e tyre e kanë bërë edhe Ardian Nrecaj dhe bashkëshortja e tij, Merita Augustini – Nrecaj.
Merita merrej me mësimet online të djalit të tyre, Arbërit, që vitin e kaluar ishte në klasë të parë, kurse Ardiani merrej me punët e tjera.
“Më shumë ka qenë gatimi. Faktikisht mëngjesin, pastro enët, vendosi enët nëpër vendet e tyre. Tamam i përfundoja enët, vinte më pas dreka – e kështu e kemi pas njëfarë ndarje të natyrshme të punëve”.
Por pavarësisht që gatimi dhe pastrimi i enëve mund të jenë punë të mundishme, Ardiani shprehet se punën më të vështirë e ka pasur Merita me mësimet online me djalin.
Rutina e jetës përpara pandemisë atë e kishte bërë që të mos i vlerësojë disa momente me fëmijët e tij, prandaj pandeminë e ka shfrytëzuar në maksimum që të kalojë e të mësojë më shumë për ta.
“Para karantinës kur i merrnim prej shkollës apo çerdhes, hynim menjëherë në atë rutinën e mbrëmjes dhe nuk kemi pasur shumë kohë që të kalojmë me fëmijët. E kjo ka qenë benefit prej karantinës që më ka bërë të shoh edhe anë të tjera të fëmijës. Më ka bërë që të kalojë kohë me ta e të bëj muhabet. Kjo ka qenë pjesa më e mirë e karantinës”.
Për të tre baballarët, Labinotin, Fidanin e Ardianian, pandemia ishte një mundësi për t’u rilidhur me fëmijët e tyre dhe për të kuptuar më shumë për ta. Për sociologun, Besim Gollopeni, këto ndryshime të sjelljeve te njerëzit në periudha të tilla si pandemia, janë normale.
“Raporti apo të qenit fizikisht 24 orë në kontakt me fëmijët, natyrisht që i ka bërë dhe ka ndikuar që prindërit të reflektojnë për kohën e humbur të shkaktuar nga jeta dinamike”.
Gollopeni gjykon se shumë prindër, për shkak të jetës dinamike, nuk kanë mundur të ndajnë në mënyrë racionale kohën për të qëndruar me fëmijët e tyre, prandaj pandemia ka bërë që shumë njerëz të reflektojnë mbi jetët e tyre dhe të ndryshojnë raportet që kanë me familjet e tyre.
Kurse për babain e ri Fidanin, pandemia përveç që e ka mësuar dhe aftësuar më shumë me shkathtësi prindërimi, e ka bërë që të kuptojë diçka më tepër: “Që vajzat janë më të mira se djemtë”, shprehet ai duke qeshur.