Ministri në detyrë i Infrastrukturës Pal Lekaj vendosi ta kalojë në heshtje vendimin që mori në fund të mandatit për t’ia hequr të drejtën kompanisë “Eurolab”, për të homologuar vetura e reja që hyjnë në Kosovë. Në fakt, ajo bazuar në atë se çka shkruhet në vendimin që mban firmën e Lekajt, vetëm se do të kontribuojë për trashjen e xhepave të Devollëve pasi këtyre të fundit u është ofruar mundësia të hapin më shumë pika nëpër Kosovë për të kryer homologimin e veturave të vjetra që në bazë të statistikave në Kosovë importohen më shumë se të rejat. Gazeta Express ka siguruar vendimin që është marrë nga MTI.
Ministria e Infrastrukturës u mundua ta mbajë të fshehur vendimin për homologim të veturave, që pastaj u proklamua si heqje e këtij obligimi për automjetet që importohen nga jashtë shtetit.
Në fund të mandatit si ministër në dikasterin që ka qenë më së shumti i komentuar për dallaveret dhe milionat për të cilat po bëhen edhe hetime nga organet e rendit, ministri në detyrë, Pal Lekaj nxori edhe një vendim, që nuk u publikua në media, derisa për të njëjtin tregoi Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Me gjithë kritikat nga vendorët e ndërkombëtarët që sa më shpejtë të hiqet homologimi për veturat e reja që importohen nga kosovarët dhe të liberalizohet tregu që i jepte monopol Euro Lab-it të Devollëve, Lekaj ka nxjerrë një vendim që në fakt vetëm i mbushë edhe më shumë xhepat e tyre.
MIT përmes një komunikate ka bërë me dije se kanë filluar procedurat për liberalizim të homologimit, ku shkruhet se veturat e reja të importuara nuk do t’i nënshtrohen më këtij procesi nga kompania e autorizuar.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ka filluar procedurat e liberalizimit të procesit të homologimit. Në kuadër të kësaj, ju informojmë se MIT ka marrë vendim që veturat e reja, të importuara nga kompanitë e licencuara, nuk do t’i nënshtrohen më homologimit nga kompania e autorizuar për kryer atë. Për verifikimin e të dhënave nga prodhuesit, përgjegjës do të jenë kompanitë e autorizuara për shitjen e tyre në tregun e Kosovës. I njëjti verifikim do të vlejë edhe për blerësit kur kryejnë regjistrimin e veturave”, thuhet në komunikatën që ka lëshuar ministria.
Mirëpo, ajo se çka shkruhet në komunikatë, bie ndesh me vendimin “Për mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së shërbimit të kontrollit të mjeteve rrugore nëpër njësi regjionale”, që e ka siguruar Gazeta Express.
VENDIMI
Në fakt me këtë vendim, ministria e Pal Lekajt nuk e ka dëmtuar Devollin, duke ia hequr të drejtën për t’ia bërë homologimin veturave që vijnë nga jashtë shtetit. Pika e parë e këtij vendimi i ka dhënë të drejtë subjektit të autorizuar nga MTI që në këtë rast është Euro-Lab që me anë të decentralizimit të shtrijë shërbimin nëpër qendrat regjionale të Republikës së Kosovës.
Ky subjekt (Euro Lab-i), madje obligohet që këtë shërbim ta fillojë menjëherë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit si autoritet homologues e obligon subjektin e autorizuar për homologim të decentralizoj ofrimin e shërbimit të kontrollit të mjeteve nëpër qendra regjionale në Republikën e Kosovës; Obligohet subjekti i autorizuar për homologim të filloj menjëherë zhvillimin e organizimin e shpërndarjes regjionale të shërbimit të konstatimit të përshtatshmërisë së mjeteve rrugove (homologimin) me rastin e importit në Republikën e Kosovës duke garantuar cilësinë dhe profesionalizmin e tij”.
Këtu gjithashtu theksohet se shpërndarja nëpër qendra regjionale bëhet në kujdesje të subjektit të autorizuar për homologim, që është kompania e udhëhequr nga Devollët duke ia lënë të drejtën ekskluzive.
“Shpërndarja nëpër njësitë e qendrave regjionale, e shërbimeve të kontrollit të mjeteve rrugore duhet të bëhet nën përkujdesjen dhe përcjelljen permanente të subjektit të autorizuar për homologim dhe mbikëqyrje. Njësitë regjionale të ofrimit të shërbimit janë subjekte juridike të licencuara për kontrollim teknik e që e kanë siguruar kompetencën me përkrahje në aspektin tekniko-informatik, për kryerjen e shërbimeve të kontrollit”.
Ministria e Infrastrukturës duke u thirrur në një udhëzim administrativ i cili në disa nene të saj bie ndesh me ligjin për konkurrencën ia kishte trashur monopolin kompanisë EuroLab për homologimin e veturave.
Kompania “EuroLab”, për shumë vite me radhë ka mbajtur tregun në duar për homologimin e veturave të reja që kanë hyrë në Kosovë. Ky monopol ia siguronte kompanisë në fjalë për çdo vit më shumë se 4 milionë euro të hyra.
Reagime të ashpra për këtë çështje kishte pasur edhe nga Bashkimi Evropian dhe ambasadat në vend.
Tre muaj më parë ndërkaq në Kuvend të Kosovës është miratuar rezoluta për heqjen e monopolit në homologim. Në këtë seancë u kërkua që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.
Kjo që deri në fund të vitit të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve dhe sipas tij, urgjent të merren masa për ndryshime legjislative që të ndërrohen monopolet.
Në Kuvend të Kosovës për këtë çështje ishte dorëzuar edhe një peticion i nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë.
Por duke e parë vendimin e MIT, Zyra e Bashkimit Europian ka kërkuar që homologimi të hiqet edhe për veturat e vjetra.
“Bashkimi Evropian mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë ✖ homologimin për automjete të reja të importuara ?? të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, është shkruar dje në reagimin e zyrës së BE-së