Ditë ngarkimesh e shkarkimesh në Ministrinë e Infrastrukturës. Vetëm pa orë pasi u emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Insfrastrukturës, Zymber Abdullahu e ka shfuqizuar vendimin për kthimin në punë të shefit të prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi.
Gazeta Online “Reporteri.net” e ka siguruar këtë vendim.
“Shfuqziohet vendimi nr 01.1679 datë 26,02 2021 me të cilat vendime Nexhat Krasniqi është kthyer në pozitën Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në kuadër të DFSHP. Shfuqizohet vendimi nr 01.10242 ,e datë 22.12,2020 për kthimin në punë të Nexhat Krasniqi”, thuhet në vendim.
“z.Nexhat Krasniqi i sistemuar në pozitën e Udhëheqësit të Prokurimit i ndërpritet marrëdhënia e punës në shërbimin civil në Ministrinë e Infrastrukturës për shkak të detyrimit ligjor të zbatimit të Vendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës CML.nr.12/2019 të datës 18.11.2019”, thuhet tutje në vendimin e siguruar nga Reporteri.net.
Në dhjetor të vitit të kaluar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pati marrë vendim ta kthejë në punë Nexhat Krasniqin.
Me këtë vendim është anuluar vendimi 888 i datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.Sipas këtij vendimi obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës që ankuesin ta kthejë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurorimit në MI, me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës, duke i kompensuar pagat nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Në arsyetimin e vendimit, KPMSHCK-ja theksonte se më datën 15.05.2016 me vendim të formës së prerë Gjykata e Apelit, ankuesin Nexhat Krasniqi e dënon me dënim me kusht. Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht Komisioni Disiplinor me datën 02.02.2017 sipas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm merr në shqyrtim lëndën ndaj ankuesit Nexhat Krasniqi.
Tutje në arsyetim thuhej se Komisioni Disiplonot duke u bazuar në nenin 63 paragrafi 4 të Ligjit nr 03/L-149 për Shërbimin Civil e ka trajtuar lëndën dhe ka marrë vendim që ankuesit ia kanë ndërprerë marrëdhënien e punës në shërbimin civil në kuadër të MI-së.
Krasniqi ka qenë një kohë të gjatë shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (dikur njihej edhe si Ministria e Transportit dhe Postë Telekomit).
Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.
Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Kujtojmë që Zymer Abdullahu është zëvendësuesi i Izedin Bytyqit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës.
Abdullahu ka marrë sot detyrën e sekretarit të MI-së, në po të njëjtën ditë me shkarkimin e Bytyqit, i cili u lirua nga detyra me vendim të ministrit Arban Abrashi.
Bazuar në vendim, Abrashi ka obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që pas shkarkimit, Bytyqi të sistemohet në një departament brenda ministrisë.
“Obligohet Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së, që të bëjë sistemimin e z. Bytyqi në pozitën Drejtor I Departamentit në bazë të Rregullores (QRK) nr. 16/2015 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistemimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Infrastrukturës”, thekson pika 2 e vendimit.
Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, thotë një pikë tjetër e dokumentit të nënshkruar nga ministri.