Oda e Mjekëve të Kosovës po përgatit padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për mospagimin e shtesave në paga për të gjithë punëtorët shëndetësorë, ashtu siç ishte premtuar. Nga kjo Odë kanë treguar se janë rreth 400 punëtorë shëndetësorë që kanë punuar gjatë pandemisë por që nuk kanë marrë shtesa, raporton Ballkani.info.
Ministria e Shëndetësisë pritet të paditet nga Oda e Mjekëve të Kosovës për shkak të mospagimit të shtesave për punëtorët shëndetësorë të cilët janë angazhuar gjatë pandemisë.
Nga kjo Odë kanë treguar se janë rreth 400 punëtorë shëndetësorë që kanë sjell nënshkrimet e tyre për padi, për shkak se nuk janë paguar shtesë për punën që kanë bërë, përkundër vendimit të marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë se ata i kanë shkruajtur Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me kërkesën e tyre, dhe se janë duke përgatitur padi ndaj kësaj ministrie.
“Është një grup i mjekëve, qoftë të projektit të Caritas’it, qoftë specializantë të cilët kanë punuar gjatë kohës së pandemisë që nuk kanë marrë shtesa. Ne jemi duke e përgatitur padinë ndaj ministrisë për mospagesën e shtesave për COVID-19, pasi që me vendim të qeverisë nuk përjashtohet asnjë mjek nga këto shtesa. Një pjesë e mirë e specializantëve, rreth 400 me nënshkrime individuale, me fakte që kanë sjell, kanë autorizuar Odën që të procedohet përmes gjykatës për implementin e këtij ligji. Ne i kemi shkruajtur ministrisë disa shkresa që të respektohet vendimi i qeverisë”, ka thënë ai.
Sejdiu ka thënë se janë në pritje të pnjë përgjigjeje nga Ministria e Shëndetësisë, dhe se nëse kërkesa e tyre nuk realizohet, ata do ta procedojnë padinë.
“Ne i kemi shkruajtur Ministrisë së Shëndetësisë dhe kemi kërkuar që në mënyrë institucionsale të rregullohet kjo. Ne jemi në pritje të nje përgjigjë. Unë kam marr informata që kabineti i ministrit ka dhënë urdhër që të shqyrtohet kjo. Nëse ministria zbaton këtë vendim, ne do të ndërprejmë padinë, nëse kërkesa jonë nuk procedohet, ne do ta procedojmë padinë në gjykata brenda dy jave”, ka thënë ai.
Tutje Sejdiu ka treguar se ata kërkojnë që punëtorët shëndetësorë të marrin edhe shtesat që nuk ju janë dhënë që nga dita kur është marrë vendimi i Qeverisë për to.
Ai ka thënë se pasi buxheti është aprovuar, Ministria e Shëndetësisë do ta ketë shumë të vështirë pagimin e këtyre shtesave, andaj sipas tij, vendimi më i mirë është të shkohet përmes proceduarave ligjore.
“Do të jetë shumë e vështirë për këtë strukturë të paguaj, për shkak se është aprovuar një buxhet. Unë mendoj që e vetmja mënyrë legjitime e MSH është që të shkohet përmes procedurave ligjore dhe ata e kanë një bazë ligjore për t’i paguar”, ka theksuar ai.
Në lidhje me pagesat shtesë për të gjithë punëtorët shëndetësorë, dhe përgatitjen e padisë nga ana e Odës së Mjekëve, nuk janë përgjigjur nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujtojmë që më 10 gusht të vitit të kaluar, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se deri në përfundim të pandemisë, punonjësve shëndetësorë do të ju paguhen shtesa deri në 300 euro në muaj, bazuar në kategorizimin e bërë sipas rrezikshmërisë së drejtpërdrejtë nga virusi Covid-19. Kërkesë e cila gjeti mbeshtetjen dhe mirëkuptimin e Kryeministrit.