Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, i është përgjigjur kritikave që mori pas disa deklaratave të saj mbrëmë në Interaktiv.
Në këtë kundër-reagim, Pacolli thotë se nuk ka fyer nënën e askujt, porse ka kritikuar udhëheqjen e vendit nga qeveritë e kaluara, kryesisht, në shëndetësi.
“Unë nuk kam fyer nënën e askujt. Kam treguar sesi ata që kanë udhëhequr me vendin nuk kanë investuar asnjë cent në përmirësimin e kushteve në spitalet tona ku të gjitha nënat e sidomos nënat e dëshmorëve e të zhdukurve, që sot jetojnë në varfëri të skajshme e që nuk kanë pasur rastin të kenë ndonjë djalë/vajzë president/ministër e kryeministër, të kenë një vend ku mjekohen e trajtohen me dinjitet në vendin për të cilën flijuan fëmijët e tyre”, shkruan ndër tjera Pacolli në Facebook.
Lexoni të plotë reagimin e Pacollit:
Për 20 vjet me radhë në emër të luftës e në emër të dëshmoreve/dëshmorëve kemi lejuar që:
• të na e vjedhin paranë publike të shtetit tonë për të cilin ranë shumë dëshmorë/e;
• të keqpërdorin të mirat tona publike;
• të bëhen milioner brenda natës;
• të na mohojnë të drejtën të kemi një sistem publik të zhvilluar shëndetësor, ndërsa vetën dhe familjarët e tyre i mjekojnë jashtë shtetit;
• të ua mohojnë të gjithë fëmijëve të drejtën e shkollimit cilësor e fëmijët e tyre t’i dërgojnë nëpër shkollat private brenda dhe jashtë shtetit;
• të na varfërojnë skajshmërisht e për fëmijët e tyre të kenë milionat në kontot bankare;
• veteranë të vërtetë të luftës të bëjnë vetëvrasje nga varfëria e skajshme e shumë të tjetër të jetojnë në varfëri të ekstreme;
• të mos kemi të ardhme të sigurtë;
• të ikim nga vendi ynë për një jetë më të mirë;
• vajzat dhe djemtë e këtij vendi të sillen rrugëve të qyteteve me 1 euro ose asnjë në xhepat e tyre;
• të blejnë votën nga qytetarët që i varfëruan me vetëm me 2 litra vaj, 1kg sheqer e një thes miell;
• punëtorët të shfrytëzohen nga bizneses e tyre e të punojnë pa asnjë masë sigurie e me një pagë që në fakt nuk është as pagë;
• punëtorët të rrezikojnë cdo minut jetën e tyre nga mungesa e pajisjeve në punë dhe nga puna e stërngarkuar e orare tejet të gjata;
• të na e ndotin ujin e pastër e të mos kemi mjaftueshëm ujë për pije e ujitje;
• të na i shkatërrojnë lumenjtë;
• të na degradojnë e ndotin tokën tonë të bukës e të punës;
• të mos na lënë as ajër të pastër;
• të shesin pasuritë tona shtetërore e të lënë mijëra punëtorë pa punë e shtetin pa të ardhura e pa resurse;
• të falin tokën tonë, burimet tona ujore, pikat strategjike e zonat turistike;
• të na mashtrojnë për 12 vjet me radhë rreth liberalizimit të vizave;
• të paguajnë lobistë nëpër botë për të ndarë shtetin tonë e për të rrënuar atë për të cilën dëshmorët u flijuan;
• me paranë publike të paguajnë shkrimtarë që përmes livrave t’ua pastronjë imazhin e hajnave, mashtruesve e të korruptuarve para botës;
• dikush të ketë pagë 12,000.00 euro në muaj e dikush mbi 5,000 euro por një familje 5-6 apo edhe 7 anëtarëshe të mbijetojë me më pak se 1 euro në ditë;
Kjo listë nuk përfundon këtu është shumë e gjatë. Por vetëm ju e ne bashkë me ju mund t’i japim fund përsëritjes së kësaj liste.
Kjo është FYERJA më e madhe që na e kanë bërë secilit prej nesh për 20 vjet me radhë.
Unë nuk kam fyer asnjëherë dhe askënd në jetën time private apo publike e as nuk do të fyej askënd. Por do të vazhdoj të them të vërtetën, zhveshur të pa hijeshuar me fjalë të mira.
Unë nuk kam fyer nënën e askujt. Kam treguar sesi ata që kanë udhëhequr me vendin nuk kanë investuar asnjë cent në përmirësimin e kushteve
në spitalet tona ku të gjitha nënat e sidomos nënat e dëshmorëve e të zhdukurve, që sot jetojnë në varfëri të skajshme e që nuk kanë pasur rastin të kenë ndonjë djalë/vajzë president/ministër e kryeministër, të kenë një vend ku mjekohen e trajtohen me dinjitet në vendin për të cilën flijuan fëmijët e tyre.
Kam thënë sesi ata që kanë udhëhequr këtë vend për 20 vjet ua kanë mohuar të drejtën e shkollimit cilësor fëmijëve të dëshmorëve e veteranëve të vërtetë që sakrifikuan për këtë vend.
Ata që kanë udhëhequr me vendin për 20 vjet na kanë fyer të gjithëve.
Tha mos më fyej. Sapo më the hajn, mashtrues, tradhëtar, zhvatës… Po si mund t’i thuash ndryshe një hajni që vjedh paranë publike përveçse hajn, apo një tradhëtari që tradhton vendin përveçse tradhëtar…???
Asnjë dëshmor nuk u flijua që tu krijojnë mundësi dhe kushte disa individëve të vjedhin shtetin për të cilin ata dhanë jetën. Ata u
flijuan për Kosovën e qytetarët e saj jo për xhepat e disa individëve e për pushimet e tyre luksoze.
Lavdi të gjithë dëshmorëve e dëshmoreve.
Përkulem para çdo nëne që ka dhënë djemët/vajzat e saj për lirinë e vendit tonë për të ardhmen tonë.