Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook ka kujtuar të zhdukurit në Kosovë.
Sipas Osmanit, pesha e përgjegjësisë në mos gjetjes e 1641 personave të zhdukur 21 vite më parë në Kosovë, bie mbi gjithë ne, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë.
“Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm”.
“Rrjedhimisht duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb. Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet e përderisa secili fëmijë nuk e gjen prindin e vet të zhdukur. Paqja ndër-shtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1641 familjeve në Kosovë”, ka shkruar ajo.