Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në vazhdën e fushatës zgjedhore, sot mbajti tubimin e radhës në Gjakovë, ku nga këtu kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani tha se për fat të keq sikur çdo vend tjetër i Kosovës, edhe Gjakova është prekur nga plaga e ikjes së të rinjve nga keqqeverisja aktuale.
Osmani para elektoratit të LDK-së premtoi se Gjakova do ta ketë vëmendjen e veçantë të qeverisë së saj, që jo vetëm aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet plotësisht, por përmes ligjit për investime strategjike do të sjellin investitorë seriozë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe mirëqenie për familjet gjakovare, që Gjakovës t’i rikthehet nami i dikurshëm.
Osmani është zotuar se Gjakova kurrë më nuk ka për t’u turpëruar nga njerëzit që janë të përfaqësuar. Sipas saj, Gjakova sikur çdo vend tjetër i Kosovës, ka nevojë për një qeveriske me duar të pastra, ndërsa premtoi se fatin e të pagjeturve do ta adresojnë për ta zbardhur me prioritet.“Jemi sot këtu që të lidhim besë me ju, me secilin gjakovar, që më 6 tetor ta rikthejmë dinjitetin e qytetarëve, që më 6 tetor ta rikthejmë shpresën për Gjakovën dhe krejt Kosovën, ashtu siç kishit shpresë në kohën e presidentit historik Ibrahim Rugova… Për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë keqqeverisjes dhe abuzimit, ju ftoj që t’i besoni LDK-së… Njerëzve të mirë dhe dijshëm të Gjakovës dhe malësisë së Gjakovës, do t’ua kthejmë perspektivën. Plagën e Gjakovës dhe të krejt Kosovës, fatin e të pagjeturve, ne do ta adresojmë për ta zbardhur me prioritet absolut”, tha Osmani.
Po ashtu ajo shtoi se më 6 tetor, LDK do të dalë fituese e zgjedhjeve bindshëm dhe do t’i dërgojë në opozitë shkaktarët e së keqes në Kosovë.
“Më 6 tetor, Gjakova dhe krejt Kosova do ta kremtojnë çlirimin nga ata që nuk i dhanë Kosovës asgjë tjetër, pos stërkeqje. Gjakova dhe krejt Kosova do ta festojnë çlirimin nga ata që po krekosen me parulla se do ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, ndërsa të gjithë e dimë se ata janë vetë që e kanë ndërtuar piramidën e krimit dhe korrupsionit në Kosovë. Ata janë vetë që ndërtuan dhe po e mirëmbajnë, por do t’ia prishim e do t’ua shkatërrojmë, e nuk do t’u lëmë më vend kurrë në institucionet e Kosovës”, tha Osmani.