Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar sot sërish liderët e të gjitha partive politike në vend për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Ashtu siç kishte vepruar para një muaji, në atë kohë, para nisjes për në Uashington kur ftoi liderët, edhe kësaj radhe Hoti thotë se e bën për të dëshmuar transparencën e këtij procesi.
“Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti të hënën kur njoftoi për ftesat drejtuar liderëve.
Mirëpo, ashtu sikurse ndodhi në qershor, edhe kësaj radhe nuk pritet të marrin pjesë dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Kujtojmë se në takimin e qershorit morën pjesë vetëm AAK, Nisma, AKR si dhe disa prej partive të komuniteteve. Kryeministri Hoti do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës rreth kësaj teme të premten në orën 12:00.