Teksa ka vazhduar numërimi i votave të fundit nga zgjedhjet e 6 tetorit, koalicioni Nisma-AKR-PD po vazhdon të jetë ende nën pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Me numërimin e 98.63 për qind të votave, Nisma ka 4.9 për qind, apo 38657 vota.
VV-ja prin me 25.51 për qind apo 201129 vota, LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind të votave e PDK-ja e treta me 21.24 për qind. Koalicioni AAK-PSD ka 11.52 për qind të votave.
Nisma dje deklaroi se është e bindur që do të kalojë pragun, pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës. Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi tha se partia e tij do të arrijë në më shumë se 5.5 për qind të votave.
Kjo parti, bashkë me PDK-në e LDK-në u bë e ditur se janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me pretendimin se ka pasur parregullsi gjatë numërimit të votave.