E bën për spital motrën pasi nuk i bëri kafenë: Vajza shqiptare tregon ngjarjen e pazakontë
“Gjakun ma pastroi komshia. Për momentin jam larguar dhe jetoj tek ajo…”, kështu e nisi rrëfimin në polici një 30-vjeçare që kërkoi ndihmë nga autoritetet policore, pasi përkohësisht ndihet e pambrojtur nga njëri prej anëtarëve të familjes. Grindja me të vëllain nisi pasi ai e urdhëronte shpesh për punët e shtëpisë dhe që kërkonte prej saj gjithçka gati. Por siç kuptohet kjo gjë nuk e ka lodhur aspak vajzën. Ajo është dorëzuar nga dhuna e tij që është kthyer në një shqetësim në familjen e L. R, për çdo rast kur ajo në pamundësi për t’i plotësuar kërkesat, rrihej prej tij.
“Ju shërbej prindërve, dhe e bëj pa asnjë problem. Të dy prindërit janë të moshuar dhe nëna ka zënë krevatin prej disa muajsh. Përditë pastroj, laj, gatuaj dhe plotësoj çdo nevojë që ka shtëpia, pazaret, pagesat e faturave dhe nuk lodhem. Jemi katër anëtarë në familje, prindërit pensionistë dhe ne të dy. Im vëlla me tendencë më trajton si shërbëtore, bën rrëmujë, nuk prek asgjë, as që i bëhet vonë për higjienën. Këtë gjë bëri dhe ditën kur më goditi”, citon në dëshminë e saj për Gazetasi.al një oficer policie.
Vajza shpjegon sipas burimeve që bazohen te denoncimi në fjalë i regjistruar pranë Komisariatit 3, se u sulmua nga i vëllai, mbasi ajo nuk ju bind. Megjithëse ajo thekson se nuk e ndryshonte dot pakujdesinë e A. për higjienë dhe jetesë të përbashkët dhe se kishte zgjedhur të duronte derisa i vëllai t’i martohet, jo përherë kjo zgjidhje ka qenë e duhura.
“Më bëj një kafe turke më tha, por isha duke bërë punët dhe ju përgjigja që mund ta bënte vetë se i kishte duart. Ai e zjeu kafen dhe po e pinte dhe gjatë kohës që po pastroja dyshemenë e dëgjoja si më shante me fjalë nga më të ndyrat”.
E reja e mësuar me tipin arrogant të të vëllait që nuk bën asnjë punë në shtëpi dhe që kërkon t’i serviret edhe ushqimi i gatshëm në tryezë, nuk ka reaguar dhe as që i është përgjigjur. Kështu ka vepruar jo pak herë, kur gjente veshjet e tij të hedhura ngado, bishtat e cigareve në korridor dhe çorapet nën krevat.
“Po pinte kafen dhe ulur siç ishte, mes sharjeve, ai më quajti k.. . Ju përgjigja rri mirë se do marr policinë. Në këtë çast kërceu nga karrigia ku po pinte kafen dhe më gjuajti me grusht. Duke më qëlluar pyeste – kë do marrësh në telefon ti, pa ma thuaj dhe njëherë kë do marrësh?”
Pasi ka rënë në dysheme dhe ka ndjerë gjakun në fytyrë, e reja sipas komisariatit numër 3, në heshtje ka dalë nga banesa. Shkova te fqinja që më pastroi fytyrën, gjakun dhe më ndërroi bluzën – shton në denoncimin e saj L. R kundër të vëllait.
Policia mbasi u njoftua në telefon, pas këqyrjes së saj evidenton shenjat e dhunës. “Kjo shtetase mban veshur një xhup në ngjyrë të zezë dhe një shall. Në pjesën e sipërme të hundës, në anën e djathtë të fytyrës ajo ka një hematomë në ngjyrë të kuqe në vishnje, e cila duket e ënjtur, pjesa e sipërme e buzës duket e ënjtur”, shkruan oficerja e policisë që ka kryer këqyrjen dhe hematomat e shkaktuara nga goditjet.
“Tim vëllai përherë i kanë shërbyer, kur prindërit ishin më të rinj, atij i vendosej gjithçka përpara. Edhe kur ndërronte teshat, ai as që lëvizte gishtin që të merrte rrobat nga dollapi, por ia bënte gati mamaja duke ia palosur mbi krevat. Nuk skuq as një vezë, nuk rregullon njëherë krevatin. Këto të gjitha i bëj unë. Jam kthyer në një shërbëtore, por ndryshon puna për prindërit, pasi ju shërbej me dëshirë pasi janë që të dy të sëmurë. Prindërit u plakën dhe s’kanë më fuqi. Gjithë kujdesi i tyre, i ngjan A. R se është një detyrim që duhet ndjekur nga të tjerët”, rrëfen e reja në denoncimin e rrallë ndaj të vëllait.
Policia shton për gazetën Si se i riu është me status beqar dhe veç ankesave të anëtarëve të familjes, rezulton njëkohësisht konsumator i pijeve alkoolike. Por pasi është shoqëruar në komisariat ai është pyetur dhe ka kërkuar një avokat duke shtuar “s’kam asgjë për të thënë”.