Raporti i vlerësimit të performancës së Komunave e ka nxjerrë komunën e Drenasit si komunën me performancën më të mirë krahasuar me të gjitha komunat e vendit.
Drenasi ka arritur të përmbushë 77.04% të kritereve vlerësuese pasuar nga Hani i Elezit me 75.78% dhe Rahoveci me 75.20%.
Matja e performancës është një proces i udhëhequr nga Ministria e Pushtetit Lokal ku komunat raportojnë të dhëna mbi përmbushjen e standardeve qeverisëse.
Në matje grumbullohen të dhëna që nga cilësia e administratës mbrojtja e mjedisit infrastruktura e deri tek përfaqësimi gjinor
Fusha e parë e cila është matur është ajo e shërbimeve administrative ku matet koha brenda të cilës qytetarët marrin përgjigje në kërkesat e tyre. Këtu hyjnë kërkesat për leje ndërtimore apo kërkesat e tjera drejtuar komunës.
Në kuadër të këtij matësi matet edhe përdorimi I teknologjisë si e-kiosku për të pajisur qytetarët me dokumentacione.
Sipas raportit Drenasi i ka përmbushur kriteret në masën 82.78% në këtë standard.
Fusha tjetër e cila matet në këtë raport është transparenca komunale ku hyjnë publikimi i informacioneve në ueb faqen e komunës, transmetimi i mbledhjeve të asamblesë dhe transparenca në prokurimin publik. Në këtë pikë Drenasi është vlerësuar se ka përmbushur në masën 100% kriteret
Fushë tjetër është matja për përgjegjshmërinë komunale të cilën Drenasi e ka përmbushur me 90.65%. në këtë fushë maten takimet e komunës me qytetarët gjatë hartimit të buxhetit e po ashtu suspendimi i zyrtarëve me aktakuza. Një fushë tjetër e matur nga MPL është edhe Barazia në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare në këtë pikë matet punësimi I personave me aftësi të veçanta në institucionet komunale si dhe punësimi i komuniteteve jo shumice. Drenasi ka arritur ti përmbushë kriteret në 76% të treguesve në këtë fushë.
Drenasi është radhitur e katërta me 100 për qind në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në kuadër të kësaj fushe maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave. Fusha mbulon edhe shërbimet e ofruara nga komunat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive.
Në fushën tjetër atë të menaxhimi të fatkeqësive Drenasi është vlerësua me 100% pasi ëshë vlerësuar se i ka të gjitha planet dhe gatishmërinë tu përgjigjet situatave të fatkeqësive dhe krizave të pakontrolluara.
Drenasi është vlerësuar ulët në planifikimin hapësinor ku ka marrë vetëm 35%të pikëve.
Në kuadër të kësaj fushe matet zhvillimi hapësinor komunal nëpërmjet instrumenteve të planifikimit hapësinor, por edhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve komunale.
Ndërsa tek fusha e hapësirave publike, Drenasi është renditur e 15-ta me 66.8 për qind. Kjo fushë matë hapësirat publike të cilat janë me interes për qytetarët, menaxhohen nga komunat dhe të cilat ndikojnë në cilësinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve.
Raporti tregon se përpos nivelit të hapësirave të gjelbra për kokë banori, kjo fushë matë edhe sipërfaqen e hapësirave publike të cilat mirëmbahen rregullisht nga komunat, si dhe numrin e hapësirave publike të përcjella me ndriçim publik.
Por, e 18-ta është renditur në fushën e infrastrukturës rrugore. Drenas në këtë fushë ka 51.91 për qind. Kjo fushë matë rrugët komunale dhe infrastrukturën përcjellëse që janë nën kompetencën e komunës, që përfshinë edhe përmasimin e infrastrukturës rrugore me trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikletave.
Njëjtë ulje ka pësuar ofrimin e transportit publik për qytetarët. Në këtë fushë Drenasi është radhitur në vendin e 17-të, saktësisht me 77.1 për qind.
Kurse të parkingjet publike, Drenasi është renditur e 6-ta me 71.6 për qind. Kjo fushë matë numrin e parkingjeve në komunë dhe numrin e vend parkimeve kundrejt veturave të regjistruara në komunë, po ashtu sa ka vende për taksi kundrejt numrit të taksive të licencuara dhe sa parkingje publike kanë vende të rezervuara për persona me nevoja të veçanta.
Tek sigurimi apo furnizimi i qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimin e projekteve komunale për ujë të pijshëm, Komuna e Ramiz Lladrovcit është renditur e 20-të me 81.84 për qind.
Në fushën e kanalizimit, Komuna e Drenasit është radhitur në pozitën e 12-të me 44.25 përqind. Në bazë të raportit të MAPL-së, kjo fushë matë përfshirjen e ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve në sistemin e kanalizimit si dhe realizimin e projekteve komunale për rrjet të kanalizimit, e po ashtu, përfshirjen e vendbanimeve të komunës në rrjetin për trajtimin e ujërave të zeza.
Në anën tjetër, për mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave, Drenasi është vlerësuar me 75.29 për qind në vendin e 20-të. Kur jemi të mbrojtja e mjedisit, kjo komunë është ngritur në pozitën e 7-të me 93.3 për qind.
“Kjo fushë matë veprimet e komunës përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror dhe jetësor (urban dhe rural) nga dëmtimi, degradimi apo ndotja si pasojë e veprimtarisë njerëzore ose të ndikimit natyror. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 65.64%. Vërehet një ngritje prej 2.1% krahasuar me vitin paraprak që kishte një performancë të përgjithshme prej 66.1%”, thuhet në raport.
Kurse të fusha e përfaqësimit gjinor, Drenas është vendosur në pozitën e 3-të me 50.0 për qind. Raporti shpalos se përfaqësimi gjinor matet më gjerësisht në këtë fushë duke përfshirë qasjen e të dy gjinive në programet për zhvillim social, ekonomik, si dhe në aktiviteteve komunale. Po ashtu, treguesit matin shkallën e përfaqësimit të të dy gjinive në institucionet lokale, trupat e kuvendeve komunale etj.
Në fushën tjetër që është arsimi parauniversitar është vlerësuar me 71.22 për qind, respektivisht me vendin e 6-të. Ky tregues, sipas raportit të MPL-së, synon rezultate në hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë, rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.
Ndërkaq, në fushën “Kujdesi primar shëndetësor” që matë infrastrukturën dhe hapësirat e destinuara për shëndetësinë primare, resurset dhe personelin e mjaftueshëm, si dhe ofrimin e shërbimeve nga niveli komunal, Drenasi është radhitur në vendin e 3-të me 68.3 për qind.
Kjo Komunë është renditur e 12-ta në fushën e zhvillimit ekonomik lokal me 84.3 për qind. “Kjo është fushë e re dhe për herë të parë e zbatuar në këtë cikël raportimi. Fusha është e përbërë prej 1 rezultati dhe 4 treguesve. Kjo fushë mate aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në prone. Kjo fushë ka performancën e përgjithshme prej 59.35%”, thuhet në raportin e MPL-së.