Qeveria norvegjeze do t’i dhurojë disa respiratorë Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë.
Më 31 mars të vitit të kaluar, Norvegjia kishte vendos për mbyllje totale shkaku i pandemisë. Atëbotë, kryeministrja Erna Solberg kishte njoftuar se kanë porositur 1000 respiratorë të urgjencës që prodhoheshin në Norvegji. Kjo e fundit, fatmirësisht nuk ka pasur nevojë që t’i shfrytëzojë.
Tani qeveria norvegjeze ka vendosur t’i dhurojë aparatet për frymëmarrje disa shteteve, raporton vg.
“Në Norvegji, për fat të mirë, ne arritëm të vendosnim infeksionin nën kontroll në pranverën e vitit 2020 dhe kurrë nuk kishim nevojë për aparatet për frymëmarrje. Prandaj jemi në një situatë të mirë që mund t’iu ofrojmë aparatet për frymëmarrje Moldavisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, të cilat janë goditur rëndë nga COVID-19 dhe nuk kanë të njëjtën qasje në pajisjet mjekësore si Norvegjia”, tha Ministri i Shëndetësisë dhe Shërbimeve të Kujdesit, Bent Hoie.
Të martën, Norvegjia ka nënshkruar një marrëveshje që bën të mundur dërgimin e aparateve të frymëmarrjes në këto te vendet.