Ani pse drafti i statutit të Asociacionit nuk është bërë ende publik, njohësi i çështjeve ksuhtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se nga ajo që është thënë prej Bashkimit Evropian, del që nuk ka zgjidhje të mirë sa i përket kësaj çështjeje.
E, duke u bazuar në objektivat e BE-së, Baraliu, pohon se ky draft mund të jetë një autonomi e gjerë për serbët në veri.
“Ky teksti nga objektivat që pash paraqet më shumë se ato marrëveshjet e Brukselit të 2013 dhe 2015, një autonomi të gjerë, një vetëqeverisje, autonomi madje siç thuhet atje substanciale dhe pozita të dyfishta do të thotë diçka që unë nuk e kam parë në kanalet e marrëdhënieve ndërkombëtare shpesh siç që nënkupton standardet më të larta që dikund ekzistojnë, pra është absurde, është diçka e dëmshme dhe nuk ka se pse të mburret askush me të nga Kosova, as këta që po dialogojnë atje”, ka deklaruar Baraliu, për Front Online.
Sipas tij, teksti i këtij drafti të fundit nuk po del të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Mendoj që nga objektivat që kam parë nuk do të del një tekst i dobishëm, i pranueshëm për Kosovën dhe në përputhje me Kushtetutën, por do të jetë e kundërta e saj”, ka shtuar ai.
Deklaron se në veri të vendit do të krijohet autonomi substanciale.
“Në bazë të objektivave po them do të ketë autonomi substanciale. Prandaj nga kjo jam i sigurtë, po them ndoshta edhe me naivitet, ndoshta s’kam të drejtë por nga përvoja ime me sjell të një konkluzion që ajo që është thënë aty autonomia substanciale është shtet në shtet dhe kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjet tona, me konceptin, frymën dhe shkronjën e këtij shteti dhe Kushtetutës”, ka thënë ndër të tjera Baraliu.