Sot pasdite, rreth orës 16:08, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë, një zyrtar policor u bë objekt i një sulmi me armë zjarri. Ngjarja ndodhi ndërsa zyrtari ishte duke kaluar rrugën në vijat e bardha, menjëherë pas daljes nga stacioni policor.
Lajmin e konfirmoi Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës, i cili deklaroi se, për fat të mirë, zyrtari policor nuk ka pësuar lëndime.
“Zyrtari policor sapo kishte dalë nga stacioni dhe ishte duke kaluar rrugën në zebra, kur nga një veturë u qëllua me armë zjarri në drejtim të tij. Për fat të mirë, ai ka shpëtuar pa lëndime,” deklaroi Gashi.
Autoritetet kanë identifikuar të dyshuarin dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për ta arrestuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori dhe njësitet relevante, ku janë gjetur dy gëzhoja si prova materiale.
Hetimet janë në zhvillim për të zbuluar motivet e sulmit dhe për të vënë autorin para drejtësisë. Policia mbetet e angazhuar për të siguruar rendin dhe sigurinë në qytet.