Një ditë para tubimit të paralajmëruar të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Policia e Kosovës i ka shtuar patrullimet nëpër pika të caktuara në kryeqytet, shkruan Reporteri.
Ditët e fundit zyrtarë të shumë të Policisë janë parë para ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, ish-objekti i Rilindjes.
Ndërkohë sot Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se tubimi i Vetëvendosjes është lajmëruar në Polici.
“Lidhur me tubimin/manifestimin e paralajmëruar të mbahet nesër (12.06.2020) në orën 17:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës njofton opinionin publik se organizatorët e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës për mbajtjen e këtij tubimi/manifestimi”, ka bërë të ditur Policia.
Sipas komunikatës Policia e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, me qëllim të mbarëvajtjes së tubimit, mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.
“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë”, vazhdon njoftimi i Policisë.